Studimi: Përdorimi i cigareve elektronike nga adoleshentët lidhet me rrezik më të lartë të pirjes së duhanit, marihuanës dhe të alkoolit

Studimi: Përdorimi i cigareve elektronike nga adoleshentët lidhet me rrezik më të lartë të pirjes së duhanit, marihuanës dhe të alkoolit

09:09, 20/08/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Studiuesit kanë kërkuar masa më të forta për të parandaluar varësinë e adoleshentëve dhe të rinjve nga cigaret elektronike, pasi përdorimi i tyre lidhet me rreziqe serioze shëndetësore dhe sociale.

Një analizë e botuar në revistën Tobacco Control tregoi se përdorimi i cigareve elektronike nga të rinjtë lidhet me rritjen e mundësisë për pirjen e duhanit, konsumimin e marihuanës dhe alkoolit, si dhe probleme të shëndetit mendor.

Studimi, që përfshiu të dhëna nga 56 hulumtime të kryera midis viteve 2016 dhe 2024, zbuloi se adoleshentët që përdorin cigare elektronike kanë tre herë më shumë gjasa të fillojnë pirjen e duhanit sesa bashkëmoshatarët e tyre që nuk i përdorin ato. Përveç kësaj, ata kanë një rrezik më të lartë për astmë, kollë kronike, lëndime trupore dhe madje edhe mendime vetëvrasëse.

Shifrat alarmante tregojnë se në vitin 2024, 22% e adoleshentëve evropianë të moshës 15-16 vjeç raportuan përdorim të rregullt të cigareve elektronike, një rritje e dukshme nga 14% pesë vjet më parë. Autorët e studimit paralajmërojnë se ky trend po kthehet në një kërcënim serioz për shëndetin publik.

“Gjetjet tona mbështesin masa më të forta për të mbrojtur adoleshentët nga rreziqet e lidhura me përdorimin e cigareve elektronike,” tha Su Golder, profesoreshë e asociuar në Universitetin e Jorkut. Ndërkohë, Greg Hartwell, bashkautor i studimit, theksoi se përdorimi i tyre shpesh çon në kalimin drejt duhanit tradicional, i cili shkakton dëme të shumta shëndetësore.

Megjithatë, ekspertët theksojnë se nevojiten më shumë studime për të përcaktuar nëse cigaret elektronike janë shkaktarë të drejtpërdrejtë të këtyre problemeve apo nëse ato thjesht përdoren nga të rinjtë që tashmë kanë gjendje shëndetësore apo sjellje të rrezikshme.

Në Mbretërinë e Bashkuar tashmë ka hyrë në fuqi ndalimi i cigareve elektronike njëpërdorimshe për të frenuar përdorimin e tyre nga fëmijët dhe për të reduktuar mbeturinat plastike. Ndërkohë, Komisioni i BE-së po përballet me presion në rritje për të vendosur taksa mbi cigaret elektronike dhe qeset e nikotinës.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco