Kremlini ka zbehur pritshmëritë për një samit të afërt mes presidentit rus Vladimir Putin dhe homologut ukrainas Volodymyr Zelensky, edhe pse presidenti amerikan Donald Trump përsëriti thirrjen e tij që dy liderët të ulen në tryezë për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, raporton BBC.
Shtysa për një takim dypalësh erdhi pas takimit të javës së kaluar mes Trump dhe Putin në Alaskë, si dhe pas mikpritjes nga ana e presidentit amerikan të shtatë liderëve europianë dhe Zelenskyt në Shtëpinë e Bardhë të hënën.
Trump pranoi se konflikti është “i vështirë për t’u zgjidhur” dhe la të kuptohet se Putin mund të mos ketë interes për t’i dhënë fund armiqësive. “Do ta kuptojmë brenda dy javëve të ardhshme se çfarë dëshiron Presidenti Putin. Është e mundur që ai nuk dëshiron marrëveshje”, tha ai të martën, duke shtuar se kjo do ta vendoste Moskën në një “situatë të vështirë”.
Në një intervistë me analistin konservator Mark Levin, Trump sugjeroi se “do të ishte më mirë” që Putin dhe Zelensky të takoheshin pa praninë e tij, megjithëse nuk e përjashtoi mundësinë që të marrë pjesë “nëse do të jetë e nevojshme”.
Putin i kishte thënë Trumpit të hënën se ishte “i hapur” ndaj idesë së bisedimeve të drejtpërdrejta me Kievin, por një ditë më pas ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, e zbuti këtë angazhim duke thënë se çdo proces duhet të përgatitet “gradualisht, duke nisur me nivelin teknik dhe më pas me hapat e tjerë të nevojshëm”, një qëndrim i përsëritur shpesh nga Moska.
Edhe Dmitry Polyanskiy, zëvendës-përfaqësues i Rusisë në OKB, tha për BBC se “askush nuk e ka refuzuar” mundësinë e bisedimeve, por se “nuk duhet të jetë një takim thjesht për hir të takimit”.
Ndërkohë, shefat ushtarakë të NATO-s pritet të mbajnë një mbledhje virtuale të mërkurën, ndërsa shefi i ushtrisë britanike, admirali Tony Radakin, po udhëton drejt Uashingtonit për diskutime mbi vendosjen e një force sigurie në Ukrainë.
Mediat raportuan se Putin i kishte sugjeruar Trumpit që Zelensky të udhëtonte në Moskë për bisedime, një opsion që Kievi nuk pritet ta pranonte. Ky propozim u interpretua si një mënyrë për t’i vënë përballë Ukrainës një alternativë të papranueshme.
© SYRI.net