VIDEO/ Sulm i dhunshëm me sfond racist në Piacenza: dy vëllezër përfundojnë në spital, njëri në gjendje të rëndë

18:56, 19/08/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Një ngjarje tronditëse me sfond racist ka ndodhur mbrëmjen e së mërkurës në Piacenza, rreth orës 23:00, ku dy vëllezër me origjinë algjeriane, 21 dhe 23 vjeç, janë sulmuar brutalisht nga një grup prej të paktën 40 personash. Sipas dëshmitarëve, agresorët kanë përdorur shufra hekuri, rripa, grushta dhe shishe qelqi për t’i sulmuar viktimat, duke shkaktuar lëndime të shumta. Njëri prej tyre ndodhet në gjendje të rëndë në spital.

Sipas hetimeve paraprake, gjithçka ka nisur nga një grup prej tetë shtetasish italianë të veshur me bluza të zeza, të cilët, duke bërtitur slogane ksenofobe dhe raciste, kanë nisur sulmin ndaj dy të rinjve algjerianë. ‘I pashë teksa afroheshin me rripa dhe shishe në duar, ishin rreth të dyzetave dhe bërtisnin se donin ta pastronin qytetin nga të huajt,’ ka rrëfyer një vajzë që ka qenë dëshmitare e ngjarjes nga zona e njohur si Facsal.

Çfarë e ka përkeqësuar situatën është se gjatë përleshjes janë bashkuar edhe disa dhjetëra persona të tjerë, të identifikuar si shtetas shqiptarë. Nuk është ende e qartë nëse bashkimi i tyre me grupin fillestar ishte i qëllimshëm apo i rastësishëm, por burime pranë hetuesve thonë se ata po merrnin pjesë në një ‘challenge’ të shpërndarë në rrjete sociale, e cila kishte në shënjestër persona me origjinë nga Afrika Veriore.

Ngjarja ndodhi pikërisht në të njëjtën mbrëmje kur u zhvillua protesta ‘Të gjithë në rrugë kundër degradimit’, e organizuar nga grupi ‘Curva Nord - Piacenza 1919’, çka po hetohet për të kuptuar nëse ka ndonjë lidhje me ngjarjen.

Autoritetet kanë nisur hetimet për të identifikuar autorët dhe për të sqaruar rrethanat e plota të këtij sulmi të organizuar, që ka tronditur opinionin publik dhe ka nxitur thirrje për ndërhyrje urgjente kundër racizmit dhe dhunës në rrugët e qytetit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco