Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaroi sot se shpreson se presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, do të ndërmarrë hapa drejt përfundimit të luftës në Ukrainë, por e pranoi se lideri rus mund të mos dëshirojë fare të bëjë marrëveshje.
Por, sipas tij, mungesa e një marrëveshjeje do të krijonte "situatë të vështirë" për Putinin.
Në një intervistë për Fox News, Trump tha se pret që Putini t’i bëjë të qarta veprimet e tij në javët e në vijim.
Ja deklaratat më të rëndësishme të Trump gjatë intervistës në Fox News
- Trump tha se po përgatit një takim mes liderit rus Vladimir Putin dhe Zelensky-t, ku fillimisht ai vetë nuk do të jetë pjesë. “Nëse funksionon, atëherë unë do të marr pjesë në [takimin trepalësh] dhe do ta mbyll,” u shpreh ai.
-Ai tha se shpreson që Zelensky të tregojë “pak fleksibilitet” në negociata.
-Trump theksoi qartë se trupat amerikane nuk do të jenë në Ukrainë si pjesë e garancive të sigurisë që kërkon Kievi, por vendet europiane mund të kenë trupa në Ukrainë si pjesë e një marrëveshjeje.
-Ukraina dhe aleatët e NATO-s duhet të heqin dorë nga përpjekjet për anëtarësimin e Ukrainës në aleancën e sigurisë dhe nga kërkesa për rikthimin e Krimesë, të cilën Rusia e pushtoi në vitin 2014. “Të dyja këto janë të pamundura,” u shpreh Trump.
-Trump tha se telefonata e tij me Putinin dje nuk u zhvillua në prani të europianëve dhe aleatëve të NATO-s. “Mendova se do të ishte mungesë respekti ndaj presidentit Putin,” tha ai.
© SYRI.net