Një ish-pronar kompanie softuerësh ka kthyer në jetë një fortesë napoleonike të shekullit të 19-të në Uells, duke e transformuar nga një rrënojë e braktisur në një pronë madhështore që sot vlen 3 milionë paund.
Mike Conner, 52 vjeç, bleu ishullin Thorne pranë Milford Haven në Pembrokeshire për 555 mijë paund në vitin 2017, kur ndërtesa historike ishte bosh prej 17 vitesh dhe në gjendje të mjerueshme.
Pas gati pesë vitesh punimesh, me gjashtë punëtorë që jetuan në ishull për katër vjet, fortesa u pajis me 40 shtretër, katër banjo moderne dhe madje edhe klub nate. Procesi i rikonstruksionit u përball me sfida të jashtëzakonshme, nga mungesa e energjisë dhe ujit, deri tek transporti i materialeve me helikopter dhe kostot e larta të infrastrukturës, përfshirë një shpenzim prej 200 mijë paund për sistemin e kanalizimeve.
Fortesa, e cila dikur strehonte 100 ushtarë për të mbrojtur portin strategjik nga francezët në vitet 1850, më vonë u shndërrua në hotel dhe më pas në një qendër argëtimi për festa. Sot, ajo është kthyer në një pronë të banueshme e cila ofron privatësi të plotë, hapësira për evente madhështore dhe potencial turistik të jashtëzakonshëm.
“Shumë e kanë quajtur krizë të moshës së mesme”, tha me humor Conner, duke pranuar se projekti ishte më i vështirë nga sa kishte parashikuar. Ai shtoi se rinovimi ishte një mënyrë për të nderuar mjeshtërinë viktoriane dhe për ta modernizuar fortesën pa humbur historinë e saj.
Pas një transformimi të plotë, ishulli Thorne sot shihet si një “kanavacë e bardhë” për pronarin e ardhshëm, me mundësi për ta kthyer në një destinacion turistik, një hotel luksoz ose edhe një vend për festa të mëdha.
© SYRI.net