Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, shmangu mbrëmë një përgjigje të drejtpërdrejtë ndaj një pyetjeje provokuese të një gazetari në Zyrën Ovale të Shtëpisë së Bardhë, ku u takua me Presidentin e SHBA-së, Donald Trump.
I pyetur nëse do të dërgojë më shumë njerëz drejt vdekjes apo është gati të rivizatojë kufijtë, Zelensky u mjaftua të thoshte: “Faleminderit për pyetjen”, duke theksuar se vendi i tij duhet të gjejë një zgjidhje diplomatike për t’i dhënë fund luftës.
Ai nënvizoi gatishmërinë për të marrë pjesë në një takim trepalësh me Trump dhe presidentin rus Vladimir Putin, duke shtuar se sulmet ruse vazhdojnë të marrin jetë të pafajshme, përfshirë një fëmijë 18-muajsh të vrarë sot në Kharkiv. “Është e domosdoshme të ndalet lufta përmes diplomacisë,” tha Zelensky.
Nga ana tjetër, Trump deklaroi se beson në mundësinë e një takimi të përbashkët mes tij, Putinit dhe Zelenskyt, nëse bisedimet në Shtëpinë e Bardhë “shkojnë mirë”. Ai e quajti këtë një “mundësi reale për t’i dhënë fund luftës” dhe shtoi se një armëpushim nuk është kusht i domosdoshëm për nisjen e negociatave.
Ky qëndrim i përbashkët sinjalizon një hap të ri diplomatik, me mundësi për bisedime direkte mes palëve ndërluftuese nën ndërmjetësimin e SHBA-së.
© SYRI.net