Politikat e taksës së pronës po ndryshojnë ndjeshëm në të gjithë Evropën, duke reflektuar qasjet e ndryshme të vendeve ndaj strehimit dhe financave publike. Në Mbretërinë e Bashkuar dhe Francë, taksat e pronës përbëjnë një pjesë të konsiderueshme si të PBB-së ashtu edhe të të ardhurave totale nga tatimi. Në të kundërt, vende si Çekia dhe Estonia regjistrojnë nivelet më të ulëta në BE.
Spanja po shqyrton një masë drastike: vendosjen e një takse 100% mbi blerjen e shtëpive nga qytetarë jashtë Bashkimit Evropian. Qeveria në Madrid e justifikon këtë nismë si një përpjekje për të frenuar krizën e strehimit, por ekspertët paralajmërojnë se taksa e pronës është një instrument delikat dhe shpesh joefikas për të adresuar problemet e tregut të banesave.
Të dhënat e Komisionit Evropian tregojnë se, në vitin 2023, kontributi i taksës së pronës në PBB-në e BE-së varionte nga 0.3% në Çeki dhe Estoni, deri në 3.7% në Francë, me një mesatare prej 1.9%. Mbretëria e Bashkuar dhe Belgjika gjithashtu qëndrojnë lart në renditje, me përqindje mbi 3%. Ndërkohë, Gjermania, një nga ekonomitë më të mëdha të kontinentit, regjistron vetëm 1%.
Në aspektin e të ardhurave absolute, Mbretëria e Bashkuar kryeson listën me 115 miliardë euro të mbledhura nga taksat e pronës në vitin 2023, e ndjekur nga Franca me 104.5 miliardë euro. Italia, Gjermania dhe Spanja kompletojnë pesëshen e parë, ndërsa vendet më të vogla si Estonia mbledhin shumë më pak, me vetëm 110 milionë euro.
Si pjesë e taksimit total, taksa e pronës zë peshën më të madhe në Francë (8.4%), duke ndjekur Belgjika, Greqia dhe Spanja, ndërsa në Çeki dhe Estoni ajo përbën vetëm 0.8%. Ky hendek tregon diferencat e mëdha midis vendeve perëndimore dhe atyre lindore e baltike.
Edhe taksat mbi transferimin e pronës paraqesin tablo të ndryshme: në Itali përbëjnë 1% të PBB-së, në Belgjikë dhe Portugali 0.8%, ndërsa në Gjermani vetëm 0.3%. Këto shifra nënvizojnë varësinë e disa shteteve nga tregu i pasurive të paluajtshme si burim të ardhurash publike.
Propozimi i Spanjës ka ngjallur debat të ashpër në nivel evropian. Ekspertët si José García Montalvo dhe Diana Hourani nga OECD theksojnë se ndryshimet e shpeshta të politikave dhe mungesa e koordinimit me masat e ofertës në tregun e strehimit mund të prodhojnë efekte të paparashikuara, duke shtuar presionin mbi çmimet e shtëpive dhe duke dëmtuar përballueshmërinë për qytetarët vendas.
© SYRI.net