Era e ndryshimit po përshkon Bolivinë pas raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale - votuesit nuk e duan më partinë e Moralesit

Era e ndryshimit po përshkon Bolivinë pas raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale - votuesit nuk e duan më partinë e Moralesit

22:05, 18/08/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Bolivianët i dhanë fund dominimit politik të Lëvizjes për Socializëm (MAS), duke e ndëshkuar ashpër partinë e majtë që ka qeverisur vendin për pjesën më të madhe të dy dekadave të fundit.

Në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale, kandidati i qendrës Rodrigo Paz doli në krye me 32.18% të votave, duke lënë pas ish-presidentin konservator Jorge “Tuto” Quiroga me 26.94%. Ndërkohë, kandidati i MAS-it, Eduardo del Castillo, mori vetëm 3.16%, duke shënuar një prej rezultateve më të dobëta historike për këtë forcë politike, raportoi Reuters.

Për shkak se asnjë kandidat nuk arriti të sigurojë mbi 40% të votave me një diferencë prej 10 pikësh, Bolivia do të shkojë drejt një balotazhi më 19 tetor. Rezultatet zyrtare do të shpallen brenda shtatë ditësh, por numërimi paraprak i mbi 92% të votave tregon një goditje të rëndë për trashëgiminë e Evo Morales, i cili kishte dominuar politikën boliviane që nga viti 2006.

“Bolivia nuk po kërkon vetëm një ndryshim qeverie, por një ndryshim sistemi. Ky është fillimi i një transformimi të madh,” tha Paz në fjalimin e tij pas shpalljes së rezultateve, teksa mbështetësit brohorisnin “ripërtëritje”.

Kriza ekonomike ishte në qendër të zgjedhjeve. Me inflacionin që u dyfishua në 23% dhe mungesën e karburantit e dollarëve, votuesit shprehën zemërimin ndaj qeverisë në largim. Ndërkohë, tregjet reaguan pozitivisht, me obligacionet boliviane që u rritën në nivelin më të lartë të vitit.

Presidenti në largim, Louis Arce, pranoi rezultatin duke deklaruar se “Demokracia ka fituar”. Edhe Quiroga e njohu humbjen në raundin e parë, por konfirmoi garën në balotazh.

Zgjedhjet e së dielës shënuan një moment historik, duke u konsideruar si “kambana e vdekjes” për partitë e majta në rajon, përballë sfidave të ngjashme në Kili dhe Kolumbi në vitet e ardhshme.

Për herë të parë në gati dy dekada, partitë e qendrës dhe të djathtës kanë fituar së bashku mbi tre të katërtat e votave, duke ndryshuar ekuilibrat politikë në vend.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco