Analisti dhe gazetari i njohur, Glenn Beck, ekspozon gabimet miliarda-dollarëshe të Alex Soros
Mjeshtri i kukullave, progresisti George Soros mbushi 95 vjeç javën e kaluar, më 12 gusht.
“Ka jetuar më gjatë se shumica e njerëzve që janë përpjekur ta ndalojnë dhe, të jem i sinqertë, edhe më gjatë se shumica e ekonomive që është përpjekur t’i rrëzojë,” thotë Glenn Beck.
“Ke rrëzuar disa valuta thjesht për sport; ke financuar mjaft lëvizje politike anembanë botës për të mbajtur kombe të vogla në grushte shteti për mbi një shekull; dhe e ke kthyer filantropinë në një fjalë të frikshme,” shton ai, duke e uruar miliarderin për ditëlindjen e 95-të, vetëm “që të shohë gjithçka të shembet në fund”.
Që prej vitit 2023, kur djali i dytë i George Soros, Alex, mori kontrollin e Fondacioneve të Shoqërisë së Hapur dhe entiteteve të tjera financiare të lidhura, Glenn Beck thotë si ai e ka futur perandorinë familjare në kaos.
“Ti je ‘njeriu që theu Bankën e Anglisë’,” i thotë Glenn, Sorosit. “Djali yt po thyen një tjetër bankë, por duket se është e jotja”.
Glenn përmend disa nga dështimet më të mëdha të Alex-it, veçanërisht vendimin për të investuar rreth 2 miliardë dollarë në një kompani automjetesh elektrike të quajtur Rivian Automotive. Nën drejtimin e Alex-it, Soros Fund Management bleu pothuajse 20 milionë aksione me çmim prej 70–100 dollarë për aksion, por brenda një viti, çmimi ra në vetëm 18 dollarë, duke sjellë humbje mbi 1 miliard dollarë.
Sipas HedgeFollow, një faqe që ndjek dhe rendit performancat e fondeve mbrojtëse në SHBA, Soros Fund Management ka aktualisht një vlerësim prej një ylli nga pesë, duke e renditur atë mes fondeve më pak të suksesshme në vend.
Në korrik 2023, pasi Alex mori drejtimin, Open Society Foundations shkurtoi 40% të stafit globalisht, kufizoi ndjeshëm grantet e reja dhe ndryshoi modelin operacional — të gjitha shenja që, sipas Glenn, tregojnë se organizata jofitimprurëse po mbetej “pa para”.
Megjithatë, “arritja më e madhe” e Alex-it, sipas Glenn Beck, ishte përfshirja e tij në Aktin për Uljen e Inflacionit të Biden-it në vitin 2022. Open Society Foundations (OSF) shpenzoi 1.6 milionë dollarë për të lobuar për dispozita si kreditë tatimore për automjetet elektrike – një përpjekje që lidhej drejtpërdrejt me investimin në Rivian.
Por tani që administrata Trump po ndërmerr hapa të fortë për të shfuqizuar dhe kufizuar këto dispozita të Aktit, edhe kjo duket se është kthyer në një tjetër dështim për Alex-in.
Dhe ky është vetëm fillimi i listës së gjatë të dështimeve. Ndërkohë që Alex po financonte Aktin për Uljen e Inflacionit, ai shpenzonte të paktën 4 milionë dollarë në fushatën e dështuar të Stacey Abrams për guvernatore, thotë Glenn.
“Kush do të ishte kaq budalla? Sigurisht që jo djali i George Sorosit,” ironizon ai.
“Tani kjo mund të jetë sepse në atë kohë Rivian po fillonte ndërtimin e një giga-fabrike pikërisht në [shtetin e Abrams] dhe po kërkonte ndihma/subvencione nga shteti... Pastaj ajo nuk fitoi, dhe gjithë ato para u hodhën në WC,” thotë Glenn.
Edhe prokurorët e financuar nga Sorosi, që u vendosën aty për të “rrënuar vendin”, po dështojnë, pasi më shumë se një duzinë prej tyre janë larguar nga detyra përmes skandaleve apo referendumeve të shkarkimit. Glenn shton se rritja dramatike e krimit urban, falë këtyre prokurorëve tolerantë ndaj krimit, ishte një faktor kyç në humbjen e Partisë Demokratike në vitin 2024.
“Zgjedhja e dytë e Donald Trump – krimi, emigracioni dhe ekonomia ishin temat kryesore, gjë që duhet të të ketë shqetësuar shumë, sepse ishin edhe temat e tua të mëdha,” e tall ai Sorosin.
Administrata Trump “preu subvencionet për makinat elektrike,” “mbylli kufijtë, u hoqi fondet OJQ-ve të tua të vogla,” “u vu kundër qyteteve strehë,” dhe “këtë javë, po merret me krimin në Uashington” – dhe kjo duhet të jetë një torturë mendore për 95-vjeçarin George, që “thjesht po përpiqet të arrijë te pudingu në mesditë,” ironizon Glenn. “Të shohësh botën tënde të shpërbëhet. Kjo torturë duhet të jetë e pamëshirshme”.
© SYRI.net