Qindra njerëz u mblodhën për një tubim pro-Ukrainës në Anchorage të Alaskës, ku Presidenti i SHBA-së Donald Trump dhe udhëheqësi rus Vladimir Putin do të takohen të premten.
Samiti me rreziqe të larta — takimi i parë ballë për ballë midis një presidenti amerikan dhe Putinit që kur ky i fundit nisi pushtimin e plotë të Ukrainës në shkurt 2022, synon të përgatisë terrenin për një armëpushim. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy nuk u ftua në samit, i cili ishte planifikuar të fillonte paraditen e së premtes në Bazën e Përbashkët Elmendorf-Richardson.
Protestuesit filluan të mblidheshin herët të premten në mëngjes përpara mbërritjes së Putinit në Anchorage, duke brohoritur slogane pro-Kievit dhe duke kërkuar që Rusia të kthejë 20,000 fëmijët ukrainas që ka rrëmbyer nga zona e luftës. Protestuesit gjithashtu u zemëruan me ftesën e Trump për Putinin në një takim në tokën amerikane në Alaskë, e cila dikur ishte territor rus derisa iu shit Shteteve të Bashkuara në vitin 1867.
“Ukraina dhe Alaska — Rusia kurrë më”, tha Ostap Yarysh, këshilltar për median i fondacionit Razom për Ukrainën, në një postim në X, së bashku me pamjet e protestës.
Organizatorët lokalë të tubimit thanë se "Alaska kundërshton tiraninë", në një postim në mediat sociale, duke u bërë thirrje mbështetësve të "mblidhen në Anchorage, Alaskë, për të protestuar kundër një krimineli ndërkombëtar lufte që ndodhet këtu".
“Vendimi për të pritur Putinin, një kriminel lufte, në tokën e Alaskës është një tradhti e historisë sonë dhe e qartësisë morale të kërkuar nga vuajtjet e Ukrainës dhe popujve të tjerë të pushtuar”, tha OJQ-ja, Lëvizja Vendase në një deklaratë, duke i bërë thirrje Trumpit të mos bëjë një marrëveshje me Putinin.
Trump tha se planifikonte të organizonte një takim trepalësh me presidentin ukrainas dhe Putinin menjëherë pas takimit në Alaskë. Presidenti amerikan tha se kishte “tre ide” për vendndodhjet - dhe “deri tani më e lehta” do të ishte qëndrimi në Alaskë.
Ukraina dhe aleatët e saj evropianë kanë shprehur një optimizëm të kujdesshëm në lidhje me samitin, pasi Trump i ashpërsoi kritikat e tij ndaj Putinit për rolin e tij në zgjatjen e luftës dhe hodhi idenë e garancive të sigurisë nga SHBA-ja për të lehtësuar një armëpushim, diçka që ai e kishte refuzuar më parë. Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, të enjten e konfirmoi këtë qëndrim, duke thënë në një konferencë për shtyp të enjten: "Për të arritur një paqe, mendoj se të gjithë e pranojmë se do të duhet të ketë disa biseda rreth garancive të sigurisë".
Edhe pse fillimisht Trump hodhi idenë e “shkëmbimit të tokës me paqe nga Ukraina”, ai më vonë u premtoi udhëheqësve ukrainas dhe evropianë se nuk do ta diskutonte çështjen me Putinin dhe pa Zelenskyn.
Shtëpia e Bardhë është përpjekur të zbusë pritjet për një marrëveshje paqeje të suksesshme përpara samitit, me sekretaren e shtypit Karoline Leavitt që e quajti takimin një "ushtrim dëgjimi".
Megjithatë, Trump ka thënë se pret që Putini ta marrë seriozisht takimin, duke kërkcënuar me ‘pasoja shumë të rënda’ për Moskën, nëse udhëheqësi rus nuk pranon të ndërmarrë hapa për t'i dhënë fund luftës. Leavitt tha se Trump preferon diplomacinë mbi vendosjen e sanksioneve të reja ndaj Rusisë, megjithëse ai i ka "të gjitha mjetet gati".
Rusia nuk pret që të nënshkruhet ndonjë dokument pas takimit në Alaska, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, për mediat ruse të enjten./ Politico.
© SYRI.net