Nga Rebekah Koffler/
Donald Trump vazhdon të rrisë presionin mbi Rusinë, përpara një afati të ri që Vladimir Putin të pranojë një armëpushim deri në fundjavë. SHBA-ja po vendos tani një tarifë shtesë prej 25% ndaj Indisë, si ndëshkim për blerjen e naftës ruse. Trump ka reaguar drejtpërdrejt ndaj paralajmërimeve të errëta për luftë bërthamore nga ish-presidenti rus Dmitry Medvedev, duke ripozicionuar dy nëndetëse bërthamore për t'iu kundërpërgjigjur kërcënimit. I dërguari i Trump-it, Steve Witkoff, ishte sërish në Moskë të mërkurën për bisedime me Kremlinin, dhe tani presidentët e SHBA-së dhe Rusisë mund të takohen që javën e ardhshme.
Me fjalë të tjera, Trump po teston mjete të ndryshme për të sjellë paqe në Ukrainë. A do të funksionojë ndonjë prej tyre? Së shpejti do ta marrim vesh. Por tashmë ka shenja të forta se arti i marrëveshjes i tij me Rusinë mund të sabotohet, nga Kina.
Ajo që presidenti dhe këshilltarët e tij ndoshta nuk e kanë llogaritur në strategjinë ndaj Rusisë, është se Kina beson se po përfiton nga lufta në Ukrainë dhe për këtë arsye është shumë e motivuar të vazhdojë ndihmën ushtarake për Moskën. Ashtu si SHBA-ja dhe Europa janë të angazhuara në një konflikt të tërthortë me Rusinë përmes furnizimit me armë dhe fonde për Ukrainën, për të dobësuar ushtrinë dhe ekonominë ruse, siç pranoi ish-sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin në vitin 2022, edhe Kina po zhvillon një luftë të tërthortë kundër SHBA-së duke mbështetur Moskën.
Duke u përmbajtur nga dërgimi i sistemeve të plota të armatimit për të shmangur zemërimin e Uashingtonit, Pekini po i jep Rusisë teknologji me përdorim të dyfishtë që përdoren për prodhimin e pajisjeve ushtarake, të gjitha duke ruajtur një lloj fasade mohimi të besueshëm. Këto përbërës kritikë përfshijnë mikroelektronikë, optikë për tanke, sensorë satelitorë, pajisje navigimi e të ngjashme, dhe shiten nga Kina në Rusi hapur përmes ndërmarrjeve shtetërore ose fshehurazi përmes kompanive fiktive, gjoja për përdorim civil. Në të vërtetë, ato forcojnë aftësitë luftarake të Rusisë, duke i mundësuar Moskës të zhvillojë një luftë të gjatë në Ukrainë.
I rëndësishëm është roli i Kinës si mundësuese e fushatës ajrore me dronë të Rusisë, një taktikë që është bërë tipar dallues i luftës në Ukrainë. Besohet se Rusia importon çdo vit miliona dollarë dronë të prodhuar në Kinë, përveç prodhimit të përbashkët të tyre me kompani kineze brenda Rusisë. Vlerësimet e inteligjencës sugjerojnë se Rusia ka ngritur një fabrikë sekrete dronësh në Kinë përmes IEMZ Kupol, një degë e kompanisë shtetërore ruse të armatimeve Almaz-Antey, ku inxhinierët kanë zhvilluar dhe testuar një model të ri droni luftarak me rreze të gjatë, të quajtur Garpiya-3 (G3).
Duke ndihmuar në financimin e ekonomisë ruse në kohë lufte, Kina (së bashku me Indinë) ka qenë ndër importuesit më të mëdhenj të naftës ruse, duke përbërë 47% të eksporteve ruse të naftës bruto në qershor 2025. Shumica e eksporteve të naftës ruse transportohen me një flotë të fshehtë cisternash pa emërtim, për të anashkaluar regjimin e sanksioneve.
Javën e kaluar, Pekini hodhi poshtë kërcënimin e Sekretarit të Thesarit të SHBA-së, Scott Bessent, për një tarifë 100% nëse vazhdon këtë praktikë. Duke u rreshtuar më tej përkrah Moskës kundër SHBA-së, Kina ka vendosur të rrisë importet e gazit nga Rusia, ndërkohë që ka ulur blerjet e gazit natyror të lëngshëm nga SHBA-ja.
Pse është Kina kaq e interesuar të ndihmojë Rusinë në luftën e saj kundër Ukrainës? Arsyetimi i Pekinit mund të ilustrohet nga kjo alegori kineze: “Ndërsa dy tigra po luftojnë ashpër në luginë, një majmun i urtë është ulur në majë të malit, duke parë poshtë dhe duke pritur të shohë si do të përfundojë.” Pekini e sheh veten si majmunin e urtë, që pret me durim ndërsa Moska dhe Uashingtoni shterojnë arsenalet e tyre luftarake.
Vërtet, edhe pse Kina dhe Rusia e portretizojnë veten publikisht si aleatë, që nga shpallja e një “partneriteti pa kufij” në vitin 2022, në fakt ata janë kundërshtarë strategjikë, të lidhur në një marrëdhënie oportuniste me synimin e përbashkët për të kufizuar dominimin gjeopolitik të SHBA-së dhe Perëndimit. Kina dhe Rusia kanë pasur përplasje të shumta kufitare gjatë historisë së tyre të trazuar dhe edhe sot e kësaj dite kanë një mosmarrëveshje territoriale në Lindjen e Largët të Rusisë. Me popullsinë në rënie, Rusia e sheh migracionin shumëvjeçar të qytetarëve kinezë drejt Lindjes së saj të Largët si një kërcënim të madh. Qysh në vitin 2000, Putin paralajmëroi se nëse Rusia nuk bënte një “përpjekje të vërtetë” për të zhvilluar atë rajon në një afat të shkurtër, “atëherë pas disa dekadash, popullsia ruse atje do të flasë kryesisht gjuhën japoneze, kineze dhe koreane”.
Kina është e motivuar ta zvarrisë konfliktin në Ukrainë për shkak të dëshirës së saj për të zvogëluar rezervat e armëve të SHBA-së, të cilat tashmë janë të konsumuar në nivele të rrezikshme si pasojë e ndihmës për Ukrainën dhe Izraelin. Pekini e sheh rrënimin e gatishmërisë luftarake amerikane si thelbësor për të parandaluar ndërhyrjen e SHBA-së në pushtimin e ardhshëm të Tajvanit nga Kina, një veprim që disa komandantë ushtarakë amerikanë e vlerësojnë si të mundshëm rreth vitit 2027. Për Pekinin, realizimi i planit të madh “Një Kinë” deri në vitin 2049, përmes sigurimit të kontrollit mbi Tajvanin, ka më shumë rëndësi sesa ruajtja e një marrëdhënieje transaksionale dhe shmangia e një lufte tregtare me Uashingtonin.
Deri tani, Rusia në thelb i ka shpërfillur manovrat e ndryshme të presidentit Trump. Ndërkohë, Pekini ka qenë duke zhvilluar stërvitje të përbashkëta detare kinezo-ruse në Detin e Japonisë. Mesazhi nga Moska dhe Pekini për Uashingtonin është i qartë: paqja në Ukrainë është në kundërshtim me agjendat e të dyve. / The Telegraph - Syri.net
© SYRI.net