Izraeli synon të marrë dy fortesat e mbetura të Hamasit në ofensivën e tij të re në Gaza, e cila shpreson të përfundojë "mjaft shpejt" dhe t'i japë fund luftës, tha të dielën kryeministri Benjamin Netanyahu.
Të premten, Izraeli miratoi planin e ri për të zgjeruar operacionet e tij ushtarake dhe për të marrë kontrollin e Qytetit të Gazës, qendrës më të madhe urbane të territorit, në një veprim që tërhoqi kritika të reja brenda dhe jashtë vendit, përfshirë nga disa vende evropiane.
Duke folur me gazetarët e huaj në një konferencë për shtyp në Jerusalem, Netanyahu tha se Izraeli nuk kishte zgjidhje tjetër veçse të përfundonte punën dhe të mposhtte Hamasin, duke pasur parasysh refuzimin e grupit për të dorëzuar armët.
Hamasi tha se nuk do të çarmatoset, nëse nuk krijohet një shtet i pavarur palestinez.
Netanyahu tha se Izraeli po punonte për të rritur shpërndarjen e ndihmave në një "sulm humanitar" që po koordinohej me Uashingtonin, ndërsa forcat e tij po përgatiteshin të lëviznin drejt Qytetit të Gazës.
"Afati kohor që kemi vendosur për veprimin është mjaft i shpejtë. Ne duam, para së gjithash, të mundësojmë krijimin e zonave të sigurta, në mënyrë që popullsia civile e Qytetit të Gazës të mund të largohet", shtoi ai.
"Nuk dua të flas për afate kohore të sakta, por po flasim për një afat kohor mjaft të shkurtër, sepse duam ta përfundojmë luftën. Kështu e përfundojmë luftën."/ Reuters.
© SYRI.net