Vendimi i djeshëm i kancelarit Friedrich Merz (CDU) për të ndalur furnizimin e Izraelit me pajisje ushtarake e armatime që mund të përdoren në Rripin e Gazës ka shkaktuar kundërshtim të ashpër brenda partisë së tij.
Kritikat kanë shtyrë grupin e punës për çështjet e jashtme të caktojë një mbledhje urgjente për nesër.
Kritika të forta kanë ardhur edhe nga CSU-ja. Të dyja partitë deri më tani janë konsideruar mbështetëse të palëkundura të dërgesave të armëve për Izraelin.
Merz nuk e përfshiu kryesinë federale të CDU-së në këtë ndryshim kursi, dhe as nuk dha ndonjë shpjegim paraprak, tha një anëtar i kryesisë për Süddeutsche Zeitung. Para zgjedhjes së tij në krye të CDU-së, mbështetësit e Merz kishin besuar se me të si kryetar, diskutimet brenda partisë do të rifillonin më në fund. Por nga kjo nuk ka asnjë shenjë. Pikërisht Merz, i cili akuzonte Angela Merkelin për udhëheqje të dobët dhe distancim të tepruar nga partia e saj, tani nuk po drejton siç duhet. Nëse kancelari vazhdon kështu, “qeveria do të ketë mbaruar deri në Krishtlindje, ” shkruan Süddeutsche Zeitung
Një tjetër anëtar i kryesisë federale të CDU-së tha se Merz duhet të ishte i lumtur që Bundestagu është me pushime verore, përndryshe do t’i duhej të përgatitej për një deba të nxehtë të grupit parlamentar CDU/CSU.
Mes deputetëve ekziston edhe shqetësimi se Izraeli mund të ndalojë tashmë furnizimin me pajisje të rëndësishme ushtarake për Gjermaninë dhe të kufizojë bashkëpunimin në fushën e inteligjencës.
Disa deputetë të CDU-së madje kritikuan hapur vendimin e kancelarit të premten. Johannes Ëinkel, gjithashtu kryetar federal i Junge Union (Unioni i Ri), shkroi me ironi në Platformën X: “Që nga sot, Izraeli do të bëjë punën e pisët për ne, vetëm se pa armët gjermane.” Ëinkel iu referua një deklarate të Merz-it në qershor, lidhur me sulmet izraelite ndaj objekteve bërthamore në Iran, kishte thënë: “Kjo është puna e pisët që Izraeli po e bën për të gjithë ne.”
Deputeti i CDU-së Carsten Müller e përshkroi pezullimin e furnizimeve me armë për Izraelin si një “gabim të rëndë”, të cilin e dënoi “me termat më të ashpër”. Roderich Kieseëetter, kryetar i grupit parlamentar CDU/CSU në Komisionin e Punëve të Jashtme, shprehu të njëjtin mendim. “Personalisht e konsideroj pezullimin e furnizimeve me armë për Izraelin si një gabim të rëndë politik dhe strategjik nga ana e Gjermanisë,” shkroi Kieseëetter. “
Matthias Hauer (CDU), Sekretar Shteti Parlamentar në Ministrinë e Kërkimeve, gjithashtu kritikoi ndryshimin e kursit për sa i përket furnizimit me armë, duke e quajtur “një gabim serioz dhe një sinjal shkatërrimtar.” Ai tha se përgjegjës për vuajtjet e tmerrshme në Gaza është Hamasi dhe se ky “duhet të shkatërrohet përfundimisht – përndryshe nuk do të ketë kurrë paqe atje.”
CSU-ja po ashtu kundërshtoi ashpër ndalimin e furnizimeve me armë.
Klaus Holetschek, kryetar i grupit parlamentar të CSU-së në parlamentin e Bavarisë, shkroi në X: “E konsideroj këtë vendim të gabuar. Hamasi e nisi qartazi luftën me sulmin ndaj Izraelit më 7 tetor 2023 dhe me vrasjen e paprecedentë të mijëra njerëzve të pafajshëm. Sidomos në kohë sfiduese, duhet të qëndrojmë pranë miqve tanë. Siguria e Izraelit është dhe mbetet çështje shtetërore për ne.”
Kreu i CSU-së, Markus Söder, fillimisht nuk pranoi të komentonte. Megjithatë, ishte domethënëse që shefi i kancelarisë së tij, Florian Herrmann, ripostoi në X mesazhin e Holetschek. Ndërkohë, deputeti i Bundestagut nga CSU, Stephan Pilsinger, shprehu keqardhje se siguria e Izraelit “përballë armiqve të shumtë e të rrezikshëm” me këtë ndryshim kursi “sigurisht nuk do të përmirësohet.”
Akuzat e Netanjahut
Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu e akuzoi Gjermaninë se me vendimin e saj për ndalimin e pjesshëm të eksporteve të armëve për Izraelin po shpërblen Hamasin islamist. Zyra e Netanjahut njoftoi, se ai e kishte shprehur zhgënjimin e tij në një bisedë telefonike me kancelarin Friedrich Merz.
Sipas njoftimeve Netanjahu i tha kancelarit Merz, se qëllimi i Izraelit nuk është të verë nën kontroll Rripit të Gazës, por ta çlirojë territorin palestinez nga Hamasi dhe të mundësojë një qeveri paqësore atje.
Ministri i Zyrës së Kancelarit, Thorsten Frei, e mbrojti vendimin. "Nuk mund dhe nuk duhet të ketë asnjë dyshim për solidaritetin e Gjermanisë me Izraelin. Por nëse ka dallime themelore lidhur me politikën e qeverisë izraelite, unë jam që këto të thuhen qartë mes miqve", tha ai për gazetën Bild (09.08.2025).
© SYRI.net