'Ndaloj luftën në këmbim të Ukrainës Lindore!' WSJ publikon propozimin e Putinit dhënë Trumpit për Ukrainën

'Ndaloj luftën në këmbim të Ukrainës Lindore!' WSJ publikon propozimin e Putinit dhënë Trumpit për Ukrainën

18:12, 09/08/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

 The Wall Street Journal

Nga Bojan Pancevski, Alexander Ward, Robbie Gramer

Presidenti rus, Vladimir Putin, i paraqiti këtë javë administratës Trump një propozim të gjerë për armëpushim në Ukrainë, duke kërkuar nga Kievi lëshime të mëdha territoriale dhe një shtytje për njohje globale të pretendimeve të tij, në këmbim të ndalimit të luftimeve, sipas zyrtarëve evropianë dhe ukrainas.

Presidenti Trump tha të premten se do të takohej me Putinin në Alaskë më 15 gusht, pas propozimit të këtij të fundit. Ai nuk dha detaje të tjera për takimin apo vendndodhjen e saktë. Kremlini nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.

Ndwrkohw presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, deklaroi të shtunën (9 gusht) se vendi i tij nuk do t’i dorëzojë toka Rusisë dhe se duhet të jetë pjesë e çdo negociate për t’i dhënë fund luftës. “Çdo vendim pa Ukrainën është në të njëjtën kohë vendim kundër paqes. Nuk do të arrijë asgjë,” shkroi ai në X.

Zyrtarët evropianë shprehën rezerva serioze për propozimin e Putinit, i cili do të kërkonte që Ukraina t’i dorëzonte Rusisë lindjen e vendit, rajonin e njohur si Donbasi, pa marrë prej Moskës ndonjë angazhim tjetër përveç ndalimit të luftimeve. Oferta, që Putini ia paraqiti të mërkurën të dërguarit special amerikan, Steve Witkoff, në Moskë, shkaktoi një nxitim diplomatik për të marrë më shumë qartësi mbi detajet e saj.

Zyrtarë evropianë dhe ukrainas, të cilët u informuan nga Trump dhe Witkoff në një seri telefonatash këtë javë, thanë se kanë frikë se Putini mund ta përdorë këtë ofertë thjesht si një manovër për të shmangur sanksione dhe tarifa të reja nga SHBA, duke vazhduar njëkohësisht luftën.

Nga ana e tij Trump tha të mërkurën se oferta e liderit rus nuk ishte një përparim i madh, por mjaft tërheqëse për të nisur organizimin e një samiti. Propozimi mund të sinjalizojë një largim nga kërkesat e mëparshme të Rusisë për kontroll të plotë mbi rajonet përgjatë gjithë vijës së frontit, e cila shtrihet përtej Donbasit.

Sipas zyrtarëve të informuar mbi bisedën, Putini i ka thënë Witkoff se do të pranonte një armëpushim të plotë nëse Ukraina do të tërhiqte forcat nga e gjithë pjesa lindore e rajonit të Donetskut. Në këtë rast, Rusia do të merrte nën kontroll rajonet e Donetskut dhe Luhanskut, si edhe gadishullin e Krimesë, të cilin e pushtoi në vitin 2014 dhe kërkon që të njihet si territor sovran rus.

Image

Aktualisht, Rusia ka nën pushtim pjesën më të madhe të Donetskut dhe Luhanskut, por forcat ukrainase ende kontrollojnë zona të konsiderueshme, përfshirë qytete kyçe që shërbejnë si pika të forta të mbrojtjes së tyre.

Gjatë një sërë telefonatash këtë javë, zyrtarët evropianë kërkuan të kuptonin më mirë një aspekt thelbësor të propozimit — çfarë do të ndodhte me rajonet jugore të Zaporizhzhias dhe Khersonit, ku trupat ruse kontrollojnë gjithashtu një pjesë të territorit. Zyrtarë të informuar nga administrata Trump mbi bisedat e së mërkurës dhe së enjtes thanë se mbetën me përshtypje të ndryshme nëse Putini synonte të ngrinte vijat aktuale të frontit apo të tërhiqej përfundimisht nga këto rajone.

Një zyrtar amerikan tha se Putini kërkoi pezullimin e luftës në vijat aktuale të të dy rajoneve. Më pas, Rusia do të negocionte shkëmbime territoresh me Ukrainën, me synimin për të marrë nën kontroll të plotë Zaporizhzhian dhe Khersonin. Nuk u bë e qartë se çfarë territori do të merrte Ukraina në këmbim.

Trump mori pjesë vetë në telefonatën e parë, së bashku me Witkoff, zëvendëspresidentin JD Vance dhe sekretarin e shtetit Marco Rubio. Të njëjtët zyrtarë, por pa presidentin, morën pjesë në telefonatën e dytë të enjten, ku iu bashkua edhe i dërguari i Trump për Ukrainën, Keith Kellogg.

Në një telefonatë të tretë të premten, Witkoff u tha zyrtarëve evropianë se propozimi rus përfshinte dy faza, sipas dy zyrtarëve evropianë. Në fazën e parë, Ukraina do të tërhiqej nga Donetsku dhe vijat e betejës do të ngrinin. Kjo do të pasohej nga faza e dytë, në të cilën Putini dhe Trump do të binin dakord për një plan paqeje përfundimtar, që më pas do të negociohej me Zelenskyn.

Image

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, tha se Trump dhe ekipi i tij i sigurisë kombëtare po diskutojnë “rrugë të mundshme drejt paqes” me homologët ukrainas dhe evropianë pas takimit Putin–Witkoff. “Për respekt të diskutimeve tona diplomatike të ndjeshme me Rusinë, Ukrainën dhe aleatët tanë evropianë, Shtëpia e Bardhë nuk do të komentojë mbi detaje të pretenduara në media,” tha ajo.

Kremlini nuk iu përgjigj kërkesave të përsëritura për koment.

Zyrtarët ukrainas dhe evropianë kanë refuzuar prej kohësh që të njohin zyrtarisht kontrollin rus mbi territoret e pushtuara. Kushtetuta e Ukrainës e ndalon Zelenskyn të autorizojë në mënyrë të njëanshme ndryshime territoriale.

Zelensky ka deklaruar më herët se do të diskutojë çështje territoriale vetëm pasi Rusia të pranojë një armëpushim të plotë dhe pa kushte — një pikë që zyrtarët ukrainas e kanë theksuar vazhdimisht.

Të premten, Trump tha nga Zyra Ovale se mund të ketë diskutime për “shkëmbime territoresh për të mirën e të dyja palëve.”

Propozimi nuk i referohej drejtpërdrejt kërkesës së Ukrainës për garanci sigurie, përfshirë anëtarësimin afatshkurtër në Aleancën e Atlantikut të Veriut (NATO). Si pjesë e propozimit, Putini tha se qeveria e tij do të miratonte një ligj ku do të angazhohej të mos sulmonte Ukrainën ose Evropën — një pretendim që zyrtarët evropianë e kanë pritur me shumë skepticizëm.

Image

Manovra e Putinit dukej se synonte, pjesërisht, të rriste presionin e brendshëm mbi Zelenskyn, pasi shumë ukrainas duan që lufta të përfundojë, por janë gjithashtu kundër dorëzimit të pjesëve të mëdha të territorit. Propozimi mund të shtojë tani presionin mbi Kievin për të negociuar një marrëveshje dhe t’i mundësojë Moskës shmangien e sanksioneve të reja amerikane.

Afati i vendosur nga Trump për Rusinë që të pranonte një armëpushim skadoi të premten. Ndërsa i vendosi tarifa prej 50% ndaj Indisë, një importues i madh i naftës ruse, mund të vonojë masa të tjera ndëshkuese ndërsa vijojnë negociatat.

“Do të shohim çfarë ka për të thënë,” tha Trump për Putinin, kur u pyet nëse afati ishte i prerë. “Do të varet nga ai.”

Rusia ka intensifikuar sulmet ndaj Ukrainës javët e fundit, përfshirë goditje mbi infrastrukturën civile në Kiev. Që nga janari, kur Trump mori detyrën, Rusia ka më shumë se dyfishuar numrin mujor të raketave dhe dronëve të hedhur mbi Ukrainë.

Të premten herët në mëngjes,(8 gusht) ushtria ruse bombardoi qytetin Bucha, një periferi të Kievit, e cila në vitin 2022 ishte vendi i masakrës së robërve të luftës dhe civilëve ukrainas nga forcat ruse gjatë tërheqjes nga rajoni.

Witkoff u tha aleatëve evropianë në disa telefonata këtë javë se oferta tregonte një lëvizje të vërtetë të Putinit drejt paqes, edhe nëse një marrëveshje përfundimtare mund të ishte ndryshe nga ajo që përshkroi lideri rus.

Disa udhëheqës evropianë kanë shprehur një optimizëm të kujdesshëm se përpjekjet diplomatike të Trump mund të japin rezultat. “Ndoshta një ngrirje e konfliktit — nuk dua të them përfundimi i luftës, por një ngrirje e konfliktit — mund të ndodhë më shpejt sesa më vonë,” tha të premten kryeministri polak, Donald Tusk. “Ka shpresë për këtë.”

Qeveria ruse tha të premten se Putini kishte diskutuar takimin e tij me Witkoff me liderët e Indisë, Kinës, Bjellorusisë, Afrikës së Jugut dhe vendeve të tjera, ndërsa ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, foli me homologun e tij në Turqi, një vend anëtar i NATO-s. / The Wall Street Journal, përshtati Syri.tv/ 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco