Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, dhe ai i Rusisë, Vladimir Putin, do të zhvillojnë një takim më 15 gusht në Alaskë, raportoi CBS. Sipas burimeve, ekziston mundësia që në bisedime të marrë pjesë edhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.
Një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë, duke folur në kushte anonimiteti, tha për televizionin amerikan se planifikimi i takimit është ende “në zhvillim” dhe se përfshirja e liderit ukrainas mbetet e mundshme në një formë apo tjetër.
Më herët gjatë javës, Shtëpia e Bardhë deklaroi se Trump është i hapur për takime si me Putinin, ashtu edhe me Zelenskyn. Megjithatë, të premten, kreu i shtetit amerikan la të kuptohej se bisedimet mund të nisin fillimisht vetëm me Putinin, duke u thënë gazetarëve: “Do të fillojmë me Rusinë”. Ai shtoi se ekziston mundësia për një takim trepalësh mes liderëve të SHBA-së, Rusisë dhe Ukrainës.
Ndërkohë, Axios raportoi se zyrtarë të lartë nga SHBA, Ukraina dhe disa vende evropiane do të mblidhen këtë fundjavë në Mbretërinë e Bashkuar për të harmonizuar qëndrimet e tyre përpara samitit të mundshëm Trump–Putin.
Nga ana tjetër, Zelensky reagoi ashpër ndaj deklaratës së Trumpit për mundësinë e shkëmbimeve territoriale, duke theksuar se “një gjë e tillë nuk do të ndodhë”.
© SYRI.net