Një grup hajdutësh ka hyrë në një dyqan në Los Angeles dhe kanë vjedhur kukulla Labubu me vlerë mijëra dollarë. Kukullat kanë fituar shumë popullaritet gjatë këtij viti, si tek fëmijët, ashtu edhe tek të rriturit, përfshirë edhe personazhe të famshëm.
“Janë vjedhur shumë kukulla, në vlerë 30,000 dollarë,” tha Joanna Avendano, bashkëpronarja e One Stop Sales, për ABC News Local 7 në Kaliforni.
Avendano tha se hajdutët nuk kanë marrë asgjë tjetër në dyqan duke u fokusuar vetëm te kukullat Labubu, dhe dyshon se vjedhja ishte e planifikuar.
Ajo tha se një kamion i dyshimtë ishte parkuar jashtë dyqanit natën e së martës dhe dyshon se hajdutët po monitoronin llogarinë e dyqanit në rrjetet sociale, pasi sapo kishin njoftuar rifurnizimin me kukulla Labubu, të cilat po shiteshin shumë shpejt.
Dyqani në La Puente, në lindje të qarkut të Los Angeles-it, publikoi një video të kamerave të sigurisë ku shihen katër hajdutë.
Departamenti i policisë i qarkut të Los Angeles-it tha se rasti po hetohet.
Sipas faqes së internetit të dyqanit, kukullat Labubu shiteshin deri në 500 dollarë secila. Kërkesa e madhe për Labubu ka nxitur rritje të konsiderueshme çmimesh nga shitësit e rinj, duke arritur në mijëra dollarë për një kukull, si dhe ka krijuar një treg të zi për kukulla të falsifikuara Labubu.
Kukullat Labubu prodhohen dhe shiten ekskluzivisht nga Pop Mart dhe kanë fituar shumë popullaritet pasi personazhe të famshëm si Rihanna dhe Lisa nga grupi K-pop Blackpink u fotografuan me to më herët gjatë këtij viti. Shumë fansa i lidhin ato në çanta dore ose çanta shpine si një deklaratë modës me stil të veçantë.
© SYRI.net