Kina shprehu “shqetësim të madh” lidhur me planin e Izraelit për të marrë kontroll ushtarak të Qytetit të Gazës, duke i bërë thirrje Tel Avivit që “të ndalojë menjëherë këto veprime të rrezikshme”.
Në një deklaratë për agjencinë AFP, një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme kineze tha se “Gaza i përket popullit palestinez dhe është pjesë integrale e territorit palestinez”, duke riafirmuar mbështetjen e Kinës për zgjidhjen me dy shtete dhe tërheqjen nga territoret e pushtuara.
Nga ana tjetër, edhe Gjermania mori një hap konkret për të shprehur mospajtimin me planet izraelite në Gaza. Kancelari Friedrich Merz deklaroi se Berlini ka pezulluar eksportet e pajisjeve ushtarake drejt Izraelit që mund të përdoren në operacionet ushtarake në Rripin e Gazës, “deri në një njoftim të mëtejshëm”.
“Ne nuk mund të kontribuojmë me asnjë mjet që mund të përdoret në një fushatë ushtarake që rrezikon jetën e civilëve”, theksoi Merz në një konferencë për shtyp në Berlin.
Këto qëndrime vijnë në një kohë kur Izraeli ka paralajmëruar shtrirje të operacioneve tokësore në qytetin e Gazës, duke argumentuar nevojën për shkatërrimin e infrastrukturës së Hamasit. Megjithatë, komuniteti ndërkombëtar po tregon gjithnjë e më shumë shqetësim për pasojat humanitare dhe shkeljet e të drejtave të njeriut në konflikt.
Reagimet nga Pekini dhe Berlini tregojnë një shtim të presionit diplomatik mbi Izraelin dhe mund të paraprijnë masa të tjera nga vende të tjera të rëndësishme në skenën ndërkombëtare.
© SYRI.net