Një iniciativë qytetare është nisur nga aktivistët në të gjithë Europën për të ndaluar një projektligj të ri të Bashkimit Europian, që sipas tyre rrezikon të dobësojë ndjeshëm të drejtat e pasagjerëve ajrorë. Ata paralajmërojnë se ndryshimet e propozuara do të reduktonin kompensimet për vonesat dhe do të rrisnin pragun kohor për përfitimin e tyre.
“Pas më shumë se një dekade bllokimi legjislativ, qeveritë e BE-së po përkeqësojnë të drejtat e pasagjerëve, dhe ne duam që qytetarët europianë të reagojnë,” deklaroi për Euronews profesori Alberto Alemanno, themelues i “The Good Lobby” dhe një nga organizatorët e kësaj nisme.
Aktualisht, rregullat e BE-së garantojnë kompensime nga 250 deri në 600 euro për vonesa që zgjasin të paktën tre orë. Por planet e reja, të mbështetura nga një shumicë e ngushtë shtetesh anëtare, synojnë të rrisin këtë prag në katër deri në gjashtë orë – dhe të ulin me 100 euro kompensimin për fluturimet e gjata.
Nisma qytetare nuk e detyron Komisionin Europian të ndryshojë ligjin, por e detyron atë të japë një përgjigje zyrtare brenda gjashtë muajve. Aktivistët shpresojnë të ngrenë presion publik dhe politik për të bllokuar planin, i cili ende duhet të kalojë nëpër Komision dhe Parlamentin Europian.
Eurodeputetët nga të gjitha grupimet politike kanë reaguar me kritika të forta.
“Njerëzit duhet të jenë gjithmonë para fitimit. Ata paguajnë për një shërbim dhe kur ai nuk ofrohet, meritojnë kompensim të drejtë,” tha eurodeputeti holandez Mohammed Chahim (S&D).
Shoqata Evropiane e Konsumatorëve (BEUC) paralajmëroi se ndryshimet do të eliminonin mundësinë e kompensimit për shumicën e pasagjerëve, pasi pjesa më e madhe e vonesave ndodhin në intervalin 2-4 orë.
Nga ana tjetër, Linjat Ajrore për Evropën (A4E), që përfaqëson kompani si Ryanair, easyJet dhe Lufthansa, mbrojnë planin duke e cilësuar si një reformë për ta bërë sistemin “më të qartë dhe më të zbatueshëm”.
“Sot linjat ajrore detyrohen të anulojnë fluturime që mund të operonin me vonesë për të shmangur kompensimin. Shumica e njerëzve duan të arrijnë në destinacion, jo të presin një pagesë,” tha drejtoresha e përgjithshme e A4E, Ourania Georgoutsakou.
Sipas saj, ndryshimet mund të reduktojnë deri në 70% të anulimeve të panevojshme dhe të ndihmojnë në rikuperimin më të shpejtë të orareve të fluturimeve.
Parlamenti Europian ka afat deri në fillim të tetorit për të paraqitur kundërshtimin e tij, ndërsa eurodeputeti bullgar Andrey Novakov, negociatori kryesor, u shpreh se:
“Nuk mund t’i lejojmë shtetet anëtare të minojnë të drejtat e fituara me mund të pasagjerëve. Dobësimi i këtyre të drejtave do të ishte një tradhti ndaj besimit që qytetarët kanë në BE.”
© SYRI.net