Autoritetet franceze po qëndrojnë në gatishmëri të lartë pas vënies nën kontroll të zjarrit më shkatërrimtar që ka përfshirë vendin në dekada, ndërsa një valë e re të nxehti kërcënon të rindezë flakët në rajonin jugor të Aude. Temperaturat pritet të tejkalojnë 30°C në ditët në vijim, duke rritur ndjeshëm rrezikun për shpërthime të reja.
Zjarri që përfshiu malet e Corbières, një zonë e njohur për prodhimin e verës, ka djegur më shumë se 160 kilometra katrorë tokë në vetëm tre ditë. Deri tani, një person ka humbur jetën dhe të paktën 21 të tjerë janë plagosur, përfshirë 16 zjarrfikës. Flakët kanë shkatërruar ose dëmtuar rëndë 36 prona në 15 komuna, duke detyruar evakuimin e qindra njerëzve.
Prefektura e Aude njoftoi se mbi 1,300 shtëpi mbeten pa energji elektrike për shkak të dëmeve të mëdha në infrastrukturë, ndërsa rreth 1,000 banorë ende nuk mund të kthehen në shtëpitë e tyre. Autoritetet kanë ngritur strehime emergjente në 17 komuna, ndërkohë që rrugët në zonën e prekur mbeten të bllokuara dhe të rrezikshme.
Bashkia e Tuchan, një nga zonat pritëse të të zhvendosurve, ka ofruar ndihmë të menjëhershme. “Kemi pritur mbi 200 persona. U kemi dhënë ushqim dhe streha falë solidaritetit të fshatarëve dhe bizneseve lokale”, tregoi kryebashkiakja Béatrice Bertrand.
Ministrja për Tranzicionin Ekologjik, Agnès Pannier-Runacher, e quajti këtë incident “zjarrin më të rëndë në Francë që nga viti 1949”. Autoritetet kanë nisur një hetim për të zbuluar shkakun e zjarrit.
Zjarri në Aude është vetëm një nga shumë episodet ekstreme që kanë goditur Evropën Jugore këtë verë. Thatësirat e zgjatura dhe temperaturat e larta, të nxitura nga ndryshimet klimatike, po e bëjnë kontinentin gjithnjë e më të cenueshëm ndaj fatkeqësive natyrore.
Sipas Shërbimit të Ndryshimeve Klimatike Kopernikus të BE-së, Evropa është kontinenti që po ngrohet më shpejt në botë, me temperaturat që janë rritur dyfish më shumë se mesatarja globale që nga vitet 1980.
Ndërkohë, banorët e Aude mbeten në ankth, ndërsa çdo grimë tymi apo erë e fortë sjell me vete frikën e një rikthimi të flakëve.
© SYRI.net