Liria e medias është zyrtarisht një prioritet i mbrojtur në të gjithë Bashkimin Evropian, pasi sot hyri në fuqi Akti Evropian për Lirinë e Medias (EMFA) – një rregullore historike që synon të forcojë mbrojtjen e gazetarëve dhe të garantojë pavarësinë editoriale në të gjitha shtetet anëtare.
Sipas BE-së, liria e medias është një gur themeli i demokracisë, dhe për këtë arsye ka nevojë për mbrojtje të posaçme, veçanërisht përballë kërcënimeve të reja teknologjike dhe presioneve politike.
Çfarë përfshin EMFA?
Ligji i ri kufizon përdorimin e programeve spiune kundër gazetarëve, rrit transparencën e reklamave shtetërore, forcon pavarësinë e medias publike dhe kërkon transparencë mbi pronësinë e mediave. Gjithashtu, platformat online nuk do të mund të fshijnë apo kufizojnë përmbajtjen e mediave të pavarura pa një arsye të qartë dhe të justifikuar.
Deklaratat nga zyrtarët evropianë
“Mediat dhe gazetarët në të gjithë BE-në përfitojnë mbrojtje të paprecedentë, dhe qytetarët mund të kenë besim se lajmet që marrin bazohen në fakte, jo në axhenda politike apo biznesi”, u shpreh Michael McGrath, Komisioner për Demokracinë dhe Sundimin e Ligjit.
Ndërsa eurodeputetja gjermane Sabine Verheyen theksoi se:
“Hyrja në fuqi e EMFA-s është një pikë referimi. Por vlera e saj do të matet me zbatim konkret, jo vetëm me fjalë.”
Nela Riehl, kryetare e Komitetit të Parlamentit për Kulturë dhe Arsim, shtoi se:
“Evropa ka vendosur standardin për mbrojtjen e shtypit. Por rënia e lirisë së medias në disa vende duhet të na shqetësojë seriozisht.”
Konteksti i miratimit
Akti u propozua nga Komisioni Evropian në një kohë kur raportet për rënien e lirisë së shtypit në vende si Hungaria, Polonia dhe Greqia ishin në rritje. Rregullorja është përgjigje ndaj presioneve politike, përdorimit të mjeteve të mbikëqyrjes dhe dhunës ndaj gazetarëve, përfshirë edhe rastet tronditëse të vrasjes së Daphne Caruana Galizia dhe Ján Kuciak për shkak të punës së tyre hulumtuese.
Mekanizmi i zbatimit
Një organ i ri mbikëqyrës, Bordi Evropian për Shërbimet e Medias, do të ketë detyrën të monitorojë mënyrën si shtetet anëtare zbatojnë rregullat. Ndër të tjera, EMFA ndalon që qeveritë të përdorin spiunazh teknologjik ndaj gazetarëve, përveç rasteve ekstreme të rrezikut të sigurisë kombëtare – një reagim direkt ndaj përdorimit të dyshuar të spyware-it Pegasus në Hungari dhe Poloni.
© SYRI.net