Temperaturat përvëluese po shtrihen gjithnjë e më shumë në të gjithë Evropën këtë verë, duke vënë në provë rezistencën e qyteteve përballë valëve ekstreme të të nxehtit.
Vera e vitit 2025 ka sjellë një tjetër seri të gjatë ditësh përvëluese, me pasoja të dukshme, veçanërisht në zonat urbane, të prekura më shumë për shkak të efektit të njohur si “Ishulli i Nxehtësisë Urbane” (UHI).
Sipas ekspertëve të klimës, temperaturat në qytete mund të jenë deri në 10-15°C më të larta se në zonat rurale, për shkak të sipërfaqeve prej asfalti e betoni që thithin dhe rrezatojnë nxehtësi. “Në qytete, valët e nxehtësisë intensifikohen me 2 deri në 4 gradë më shumë se në mjediset rurale,” shpjegon Niels Souverijns, ekspert i klimës nga Belgjika.
Rreth 70% e popullsisë evropiane jeton në zona urbane, duke e bërë këtë një sfidë serioze shëndetësore dhe sociale. Një studim në Portugali tregon se pranimet në spitale rriten me gati 19% gjatë ditëve të nxehta. Të moshuarit dhe fëmijët janë më të rrezikuarit, veçanërisht kur temperaturat nuk bien as gjatë natës.
Xhungla urbane që “zien”
Materialet ndërtimore, ndërtesat e larta dhe mungesa e gjelbërimit kontribuojnë në grumbullimin e nxehtësisë. “Qytetet më të mëdha, me më shumë beton dhe trafik të rënduar, janë më të ndjeshme ndaj efektit të ishullit të nxehtësisë,” shton Souverijns.
Fenomeni është më i fortë në lagjet më të varfra, ku mungojnë hapësirat e gjelbra dhe kushtet e banimit janë më të dobëta. Në shumë qytete, si Brukseli, qasja në gjelbërim varet nga pasuria e banorëve.
A ka zgjidhje?
Qytetet po përpiqen të përshtaten. Brukseli, për shembull, ka krijuar harta interaktive me vende freskimi dhe po eksperimenton me struktura hijezuese. Po ashtu, janë ndërmarrë iniciativa për të gjelbëruar çatitë, për të mbjellë pemë dhe për të menaxhuar më mirë ujin.
“Por vetëm përshtatja nuk mjafton,” paralajmëron klimatologu Wim Thiery. “Efekti është lokal. Nëse një rrugë ka pemë, do të jetë më freskët, por vetëm një rrugë më tej, nxehtësia kthehet me të njëjtin intensitet.”
Sipas ekspertëve, pa reduktuar emetimet e CO2, qytetet rrezikojnë të bëhen të pajetueshme. Brukseli ka vendosur objektiva për neutralitet klimatik deri në vitin 2050, por rruga drejt atij qëllimi është e gjatë dhe kërkon veprime urgjente.
Paralajmërimi i fundit?
Nëse nuk ndërmerren masa drastike për të frenuar ndryshimet klimatike, “një cunami nxehtësie” do të godasë qytetet evropiane. “Qytete të tëra në botë janë tashmë të pajetueshme gjatë verës. Kjo nuk është një çështje që i përket vetëm vendeve tropikale – kjo po ndodh tani, në Evropë,” përfundon Souverijns.
© SYRI.net