Ministria e Shëndetësisë në Gaza, e drejtuar nga Hamasi, njofton se pesë persona mes tyre një fëmijë i porsalindur humbën jetën gjatë 24 orëve të fundit si pasojë e kequshqyerjes.
Viktima më e vogël, Hood Arafat, kishte lindur vetëm dhjetë ditë më parë. Nëna e tij, e cila vetë vuante nga kequshqyerja, nuk ishte në gjendje ta ushqente me gji dhe nuk kishte qumësht artificial të disponueshëm.
Sipas të dhënave të Departamentit të Shëndetësisë në Gaza, numri total i vdekjeve nga kequshqyerja që prej fillimit të ofensivës izraelite në Rripin e Gazës ka arritur në 127, prej të cilëve 85 janë fëmijë.
Ndërkohë burime që citon Al Jazeera bëjnë të ditur se sulmet izraelite në të gjithë Gazën kanë lënë të paktën 51 palestinezë të vrarë ditën e sotme, përfshirë 23 persona që po kërkonin ndihma humanitare.
Prej dy vitesh Izraeli ka akuzuar Hamasin se ka përvetësuar ndihmat humanitare të mbledhura nga Kombet e Bashkuara dhe organizata të tjera ndërkombëtare për popullsinë e Gazës. Por në fakt, qeveria e Benjamin Netanyahut nuk ka arritur kurrë të gjejë prova që milicët palestinezë t’i kenë marrë në mënyrë sistematike ndihmat ushqimore të OKB-së, raporton Neë York Times, duke cituar informacione të siguruara nga dy zyrtarë të lartë ushtarakë izraelitë.
Në kundërshtim me atë që Izraeli ka pohuar në mënyrë të përsëritur për t’ia kaluar menaxhimin e ndihmave Fondacionit Humanitar të Gazës (GHF), sistemi i shpërndarjes i Kombeve të Bashkuara ka rezultuar në pjesën më të madhe efektiv për të furnizuar me ushqim popullsinë e dëshpëruar dhe të uritur të Gazës — dhe më pak i cenueshëm nga ndërhyrjet e Hamasit.
Sipas hetimit të NYT, “Hamasi ka përvetësuar ndihma nga disa organizata më të vogla që kanë dhuruar ndihma, pasi këto grupe nuk ishin gjithmonë të pranishme në terren për të mbikëqyrur shpërndarjen.” Por “nuk ka prova se Hamasi ka vjedhur rregullisht ndihmat e Kombeve të Bashkuara, të cilat ofronjnë pjesën më të madhe të ndihmave”, pasi agjencitë e OKB-së kanë qenë fizikisht në terren dhe kanë menaxhuar drejtpërdrejt shpërndarjen.
Izraeli, që gjithnjë e më shumë është nën presion për çështjen e ndihmave, e ka mohuar vazhdimisht se ka shkaktuar një uri masive, duke ia atribuar përgjegjësinë Hamasit, që sipas tij i përvetëson ndihmat, dhe OKB-së, që sipas pretendimeve izraelite, nuk arrin t’i shpërndajë siç duhet.
Megjithatë, një përgënjeshtrim ka ardhur edhe nga aleati më i fuqishëm i Izraelit, Shtetet e Bashkuara. Agjencia qeveritare humanitare amerikane USAID ka deklaruar, në një raport të brendshëm, se nuk ka gjetur prova për vjedhje masive të ndihmave nga Hamasi.
© SYRI.net