Skema me fondet e pandemisë/ Drejtori i FBI: Mashtruesit 'e paturpshëm' vodhën 250 milionë dollarë nga fëmijët e uritur për të blerë makina dhe vila luksoze

Skema me fondet e pandemisë/ Drejtori i FBI: Mashtruesit 'e paturpshëm' vodhën 250 milionë dollarë nga fëmijët e uritur për të blerë makina dhe vila luksoze

09:43, 19/07/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Një skemë mashtrimi që keqpërdori mbi 250 milionë dollarë nga një program federal të ushqyerjes së fëmijëve gjatë pandemisë COVID-19 është përshkruar si një nga më të rëndat në historinë e shtetit të Minesotës. Drejtori i FBI-së, Kash Patel, në një deklaratë për Fox News e quajti skandalin “vjedhje e paskrupullt nga fëmijët e uritur për të financuar pallate dhe makina luksoze”.

Sipas autoriteteve, 70 persona janë paditur në lidhje me skemën “Ushqyerja e së Ardhmes sonë”, e cila përfitoi nga lehtësimet e përkohshme të rregullave të Programit Federal të Ushqimit për Fëmijë, të vendosura gjatë pandemisë. Deri tani, 38 prej të pandehurve janë deklaruar fajtorë, ndërsa më shumë se një duzinë pritet të dalin para gjykatës – me procesin e radhës të planifikuar më 11 gusht.

Sipas hetimeve, konspiratorët paraqitën fatura të rreme dhe pretenduan se kishin shpërndarë miliona vakte ushqimore për fëmijët, kur në fakt kishin përdorur paratë për përfitime personale, përmes “shitësve” dhe organizatave të rreme. Hetimi zbuloi mbi 300 “vende ushqimore” që në të vërtetë nuk ofronin ushqim, duke e kthyer programin në një rrjet të gjerë pastrimi parash.

Agjenti special i FBI-së, Alvin Winston, theksoi se rasti përfaqëson një “tradhti të thellë të besimit publik”, ndërsa hetimet vijojnë dhe priten akuza të tjera. Autoritetet theksuan se ky rast ka shtyrë përpara edhe iniciativa për reforma ligjore në Minesota.

“Vjedhja nga qeveria federale është vjedhje nga populli amerikan”, tha Winston, duke theksuar se autorët do të mbahen përgjegjës deri në masën më të plotë të ligjit./ Fox News - Syri.Net

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco