Një grua 65-vjeçare nga Londra, e njohur si “Mbretëresha e Bletëve”, është dënuar me 20 vite burg pasi udhëhoqi një nga rrjetet më të mëdha familjare të shpërndarjes së kokainës në Mbretërinë e Bashkuar, me vlerë mbi 80 milionë paund.
Deborah Mason drejtonte operacionin nga shtëpia e saj në Tufnell Park, duke përfshirë të afërmit më të afërt në një organizatë kriminale që shpërndante drogë në qytete të mëdha si Birmingham, Cardiff, Leicester dhe Bristol.
Sipas prokurorisë, rrjeti përfshinte motrën e saj, tre vajzat, djalin, partnerët e tyre dhe një shoqe të familjes. Të gjithë së bashku importuan rreth një ton kokainë gjatë vitit 2023, ndërsa fitimet e tyre ditore kapnin shifrat mbi 1,000 paund për person. Pamjet e policisë treguan momentin e arrestimit të Mason në majin e kaluar, ku e habitur, ajo pyeste oficerët: “Mua po më arrestoni? Hajde mos bëni shaka.”
E vetëquajtura “Gjyshe gangstere” kishte përdorur fitimet për udhëtime luksoze në Dubai, Bahrein dhe Turqi, ku kishte planifikuar edhe ndërhyrje estetike. Në gjykatë u zbulua gjithashtu se ajo kishte blerë një jakë dhe zinxhir Gucci për macen e saj, me vlerë 400 paundë. Rrjeti përdorte aplikacionin e enkriptuar Signal për të shmangur hetimin, por autoritetet arritën të zbërthejnë mijëra mesazhe që zbuluan shkallën e aktivitetit të tyre kriminal.
Në total, gjashtë anëtarë të familjes janë dënuar me më shumë se 85 vite burg. Njëra prej të akuzuarave, Chloe Hodgkin, e cila është shtatzënë, do të përballet me drejtësinë në një datë të mëvonshme. Ndërkohë, Kendall dhe Reggie Bright pranuan akuzat për posedim droge dhe pasuri kriminale, pasi në banesat e tyre u gjetën mbi 15,000 paund cash.
Prokuroria deklaroi se Mason kishte përfituar edhe mbi 50,000 paund nga ndihmat sociale, ndërsa në një foto të paraqitur në gjykatë ajo shfaqej me 7,000 paund në dorë dhe pohonte synimin për të fituar 90,000 paund deri në fund të vitit. Në një moment të pazakontë në sallën e gjyqit, motra e saj, Tina Golding, e përshkroi shpërndarjen e drogës si “ditë familjare në udhëtim”, ku fëmijët ndihmonin me navigimin.
Hetuesi kryesor, Detektiv Jack Kraushaar, tha se grupi nuk kishte asnjë ide që po survejohej dhe theksoi se ky dënim duhet të shërbejë si paralajmërim për këdo që mendon të ndjekë një rrugë të tillë kriminale.
© SYRI.net