Edhe pse do të mbahet mend si një nga figurat më me ndikim në historinë e teknologjisë moderne, Steve Jobs do të kujtohet edhe për vendimin fatal për të ndjekur intuitën para mjekësisë konvencionale.
Themeluesi i Apple, gjeniu pas iPhone, iPad dhe kompjuterit Mac, nuk ishte thjesht një inovator – ai ishte një revolucionar që bashkoi teknologjinë me artin dhe filozofinë lindore me biznesin perëndimor. Por pas suksesit, jeta e tij private dhe beteja me kancerin tregojnë një histori komplekse, shpesh kontradiktore.
I lindur në vitin 1955 dhe i birësuar nga një çift i thjeshtë në Kaliforni, Jobs e nisi karrierën nga garazhi familjar dhe e përfundoi duke ndërtuar një perandori që ndryshoi botën. Ai njihej për perfeksionizmin ekstrem dhe për stilin karizmatik, por edhe për natyrën e ashpër në menaxhim. Pavarësisht dashurisë për teknologjinë, Jobs ishte një njeri që vlerësonte thellësisht lidhjet personale dhe jetonte me një stil minimalist, shpesh larg luksit të botës së teknologjisë që ai vetë e formësoi.
Kur u diagnostikua me një formë të rrallë të kancerit pankreatik më 2003, Jobs refuzoi operacionin e menjëhershëm, duke zgjedhur trajtime alternative që, sipas mjekëve, e kushtuan jetën. Ai ndërroi jetë më 5 tetor 2011, në moshën 56-vjeçare, duke lënë pas një trashëgimi të pakrahasueshme në teknologji, dizajn dhe mënyrën si e shohim botën.
Histori si e tij ngjallin admirimin, por edhe reflektimin mbi kufirin mes besimit personal dhe shkencës. Steve Jobs ishte gjeniu që refuzoi realitetin për të krijuar të ardhmen – por përballë vdekjes, edhe intuita e tij u tregua e pafuqishme.
© SYRI.net