Tregu global i kriptomonedhave ka kaluar për herë të parë vlerën prej 4 trilionë dollarësh, i nxitur nga rritja e fortë e altcoin-eve dhe përpjekjet e fundit të SHBA-së për të ndërtuar një kuadër të qëndrueshëm ligjor për sektorin.
Kjo rritje historike shënon një moment të rëndësishëm për industrinë digjitale dhe po përforcohet nga optimizmi i investitorëve dhe tregtarëve që parashikojnë çmime edhe më të larta në javët në vijim.
“Rruga e Bitcoin drejt 150 mijë dollarëve duket gjithnjë e më e pashmangshme”, deklaroi Fadi Aboualfa, kreu i kërkimeve në kompaninë e kriptove Copper. Vetëm Bitcoin përbën rreth 60% të vlerës së tregut, ndërsa Ether ka shënuar rritje me 22% në pesë ditët e fundit, sipas të dhënave të publikuara nga KosovaPress.
Rritja vjen menjëherë pas miratimit të projektligjit të parë federal për stablecoin, një nismë e mbështetur nga republikanët dhe presidenti Donald Trump. Projektligji synon të vendosë mbikëqyrje shtetërore dhe federale për stablecoin-et e lidhura me dollarin, duke legjitimuar një sektor që vlerësohet të arrijë në 3.7 trilionë dollarë deri në vitin 2030.
Ndërkohë, altcoin-et kanë dominuar fitimet në treg. Bitcoin arriti një rekord prej 123,205 dollarësh këtë javë, Uniswap u rrit me 24% vetëm të premten, ndërsa Solana pati një rritje prej 6.5% në një moment. Investimet në fondet ETF të Bitcoin dhe Ether kanë arritur përkatësisht në 5.5 dhe 2.9 miliardë dollarë vetëm gjatë këtij muaji.
Dhoma e Përfaqësuesve miratoi të enjten edhe një projektligj më të gjerë për strukturën e tregut të kriptovalutave, që tashmë pritet të shqyrtohet në Senat. Analistët thonë se tregu është në një fazë konsolidimi dhe se nëse prurjet në ETF vazhdojnë, Bitcoin mund të kalojë 140 mijë dollarë deri në shtator.
Sot, Bitcoin shënoi një tërheqje të lehtë, duke u këmbyer me rreth 118 mijë dollarë, ndërsa të dhënat nga Deribit tregojnë një rritje të interesit për opsionet që skadojnë më 1 gusht me çmim objektiv 130 mijë dollarë – një shenjë e qartë e besimit të tregut në vazhdimin e trendit rritës.
© SYRI.net