SHBA miraton ligjin e parë kombëtar për kriptomonedhat, Trump pritet ta firmosë

SHBA miraton ligjin e parë kombëtar për kriptomonedhat, Trump pritet ta firmosë

21:17, 18/07/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Ligjvënësit amerikanë kanë miratuar projektligjin e parë të madh kombëtar për rregullimin e kriptomonedhave në Shtetet e Bashkuara, duke shënuar një moment historik për industrinë e teknologjisë financiare. I njohur si Akti Genius, projektligji u miratua të enjten nga Dhoma e Përfaqësuesve, duke ndjekur miratimin e mëparshëm nga Senati, dhe tani pritet të nënshkruhet nga Presidenti Donald Trump.

Ky legjislacion historik i jep fund një periudhe të gjatë pasigurie rreth rregullave për stablecoins – një lloj kriptomonedhe e mbështetur me asete të qëndrueshme si dollari amerikan – dhe përbën një nga tre përpjekjet ligjore që po ecin paralelisht në Kongres për të ndërtuar një kornizë të qartë rregullatore për tregun e kriptove.

Presidenti Trump, dikur kritik i kriptomonedhave të cilat i përshkruante si “mashtrim”, ka ndryshuar qëndrim vitet e fundit, duke përqafuar industrinë dhe duke ndërtuar lidhje të drejtpërdrejta me firma si World Liberty Financial. Sipas zyrtarëve të afërt me administratën, ai ka shprehur gatishmëri për të mbështetur zhvillimin e teknologjive të pagesave moderne që e pozicionojnë SHBA-në si udhëheqëse në ekonominë globale dixhitale.

Ligji i ri kërkon që stablecoins të mbështeten në mënyrë rigoroze një për një me dollarë ose asete të tjera me rrezik të ulët, në përpjekje për të ulur paqëndrueshmërinë dhe për të fituar besimin e publikut. Këto monedha janë bërë një instrument kyç për tregtarët e kriptove në transferimin e fondeve ndërmjet platformave.

Megjithatë, legjislacioni nuk ka kaluar pa kundërshti. Kritikët paralajmërojnë se ai legjitimon një pjesë të industrisë pa garanci të forta për konsumatorët, duke i hapur derën pjesëmarrjes së firmave të teknologjisë në sektorë që tradicionalisht janë rregulluar ashpër, si bankat. Në një letër drejtuar Kongresit, grupe të avokimit dhe mbrojtjes së konsumatorëve e cilësuan masën si një “keqkuptim themelor” të rreziqeve të mundshme dhe paralajmëruan se mund të krijojë një iluzion sigurie për përdoruesit.

Projektligji mori mbështetje dypartiake, me rreth gjysmën e demokratëve dhe shumicën e republikanëve që votuan pro, pavarësisht përpjekjeve të disa grupeve për ta paraqitur votimin si një favor ndaj interesave të Trump dhe bizneseve të lidhura me familjen e tij.

Ndërkohë, dy projektligje të tjera – një për të ndaluar krijimin e një monedhe dixhitale nga Rezerva Federale dhe një tjetër për të vendosur rregulla për forma të tjera të kriptomonedhave – janë ende në proces shqyrtimi në Senat. Megjithëse miratuan në Dhomën e Përfaqësuesve, analistët nuk presin që ato të avancojnë më tej këtë sesion.

Rritja e interesit për kriptovalutat është reflektuar edhe në tregje, me Bitcoin që ka arritur një rekord të ri këtë javë, duke kapërcyer vlerën prej 120,000 dollarësh. Ndërkohë, spekulimet janë shtuar se Presidenti Trump po përgatit një urdhër ekzekutiv që do të mundësonte investime të pensioneve në asete si kriptovaluta, ari dhe kapital privat.

Pavarësisht këtyre zhvillimeve, ekspertët mbeten të ndarë në vlerësimet e tyre. “Ky është fundi i fitoreve të kriptomonedhave për një kohë të gjatë – dhe i vetmi”, shkroi analisti Terry Haines nga Pangaea Policy, duke vlerësuar se përballja me skandalet dhe pengesat ligjore do ta bëjë të vështirë miratimin e rregulloreve të tjera në të ardhmen e afërt./ BBC - Syri.net

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco