Një vullkan ka shpërthyer në Islandë, duke nxjerrë rrëke të lavës ndritshme të verdhë dhe portokalli nga toka, në një tjetër episod të aktivitetit të shtuar vullkanik që ka përfshirë vendin gjatë viteve të fundit. Pamjet dramatike tregojnë shpërthimin e fuqishëm që ndodhi në gadishullin Reykjanes, vetëm disa dhjetëra kilometra larg kryeqytetit Reykjavik.
Sipas Zyrës Meteorologjike të Islandës, shpërthimi u shoqërua me krijimin e një çarje të madhe në sipërfaqe, e cila vlerësohet të jetë mes 700 metrave dhe 1 kilometër e gjatë. Çarja është rezultat i depërtimit të magmës nga brendësia e Tokës drejt sipërfaqes, një proces që ka qenë i ndjekur nga afër nga ekspertët ditët e fundit.
Që nga viti 2021, Islanda ka përjetuar rreth 12 shpërthime vullkanike, pasi sistemi vullkanik në këtë zonë u bë përsëri aktiv pas një pauze disa shekullore. Shkencëtarët islandezë kanë paralajmëruar se aktiviteti i lartë mund të vazhdojë për dekada, apo edhe për shekuj me radhë, duke e kthyer gadishullin Reykjanes në një nga pikat më të nxehta të Europës përsa i përket fenomeneve natyrore.
Autoritetet islandeze janë vënë në gatishmëri për të menaxhuar situatën dhe për të mbrojtur komunitetet përreth. Deri tani, nuk raportohet për të lënduar apo dëme të mëdha materiale, ndërsa turistët dhe banorët janë paralajmëruar të qëndrojnë larg zonës së rrezikut.
© SYRI.net