Fëmijët në moshë shkollore në Australi po përdorin më pak cigare elektronike, sipas një studimi të fundit nga Këshilli i Kancerit i Australisë, një vit pasi qeveria ndaloi cigaret njëpërdorimshe.
Të dhënat nga sondazhi Generation Vape tregojnë se shkalla e përdorimit të cigareve elektronike tek të rinjtë e moshës 14-17 vjeç ra nga 17.5% në fillim të vitit 2023 në 14.6% në prill të këtij viti. Rënie edhe më të madhe regjistruan personat mbi 15 vjeç, me më shumë se një të tretën më pak përdorues.
Ministri i Shëndetësisë, Mark Butler, deklaroi se ndalimi i produkteve njëpërdorimshe dhe sekuestrimi i mbi 10 milionë pajisjeve të paligjshme kanë dhënë rezultat. “Fushatat tona të edukimit dhe parandalimit po bëjnë një ndryshim të prekshëm,” tha ai për mediat vendase. Legjislacioni i korrikut 2024 ndalon prodhimin, importimin dhe furnizimin e cigareve elektronike njëpërdorimshe, duke lejuar vetëm pajisjet me recetë në farmaci.
Sondazhi zbuloi gjithashtu se 85.4% e adoleshentëve nuk kanë provuar kurrë cigaret elektronike, ndërsa më pak se një e treta shfaqin interes për to – një rënie e ndjeshme në krahasim me vitet e kaluara. Studiuesit theksojnë se qëndrimet ndaj këtyre produkteve po ndryshojnë, me shumë përdorues që raportojnë ndjenja turpi apo sikleti.
Megjithëse tregtia e zezë vazhdon, autoritetet australiane mbeten të vendosura në luftën kundër varësisë nga nikotina tek të rinjtë. “E di që kjo është një luftë e vështirë, por mendoj se kulmi i avullimit tashmë ka kaluar,” përfundoi Butler. Në Australi, duhani mbetet shkaku kryesor i vdekjeve të parandalueshme, duke vrarë më shumë se 24 mijë persona çdo vit.
© SYRI.net