Komisioni Evropian ka propozuar që të gjitha pagesat në buxhetin e ardhshëm shtatëvjeçar të Bashkimit Evropian të kushtëzohen me respektimin e sundimit të ligjit.
Presidentja Ursula von der Leyen bëri të ditur të mërkurën se fondet më të mëdha të BE-së, si ato të kohezionit dhe bujqësisë, do të lidhen drejtpërdrejt me vlerësimin e përmbushjes së standardeve demokratike dhe të të drejtave themelore. Këto masa synojnë të rrisin kontrollin ndaj vendeve që nuk respektojnë parimet bazë të unionit, me Hungarinë si rastin më të ekspozuar. Sipas dokumenteve të siguruara nga Euronews, çdo shtet që shkel vlerat themelore të BE-së – përfshirë barazinë gjinore, lirinë e shtypit dhe pavarësinë e gjyqësorit – rrezikon pezullimin e fondeve.
Planet Kombëtare dhe Rajonale të Partneritetit, që përbëjnë afro gjysmën e buxhetit të ri me një vlerë prej 865 miliardë eurosh, do të jenë objekt i një sistemi të rreptë kushtëzimesh dhe transparence. Paratë do të shpenzohen nën mbikëqyrje të fortë, me një bazë të dhënash publike për përfituesit dhe lidhje me raportin vjetor për sundimin e ligjit. Hungaria, e cila aktualisht është e vetmja nën procedurën e Nenit 7 dhe nën pezullim fondesh për shkak të korrupsionit sistemik, pritet të përballet me sfida të reja. Qeveria e Viktor Orbán e ka përshkruar këtë si një veprim hakmarrës politik, ndërsa Brukseli insiston në mbrojtjen e vlerave themelore.
Ndërkohë, linja e re buxhetore AgoraEU, bashkë me programin Erasmus+, do të financohen me 49 miliardë euro për të forcuar demokracinë, lirinë e medias dhe shoqërinë civile. Pavarësisht këtyre planeve, buxheti ende nuk është përfundimtar dhe duhet të kalojë nëpër miratimin e Parlamentit Evropian dhe shteteve anëtare – ku çdo vend, përfshirë Hungarinë, ka të drejtën e vetos.
© SYRI.net