Gjenerali i sapoemëruar që do menaxhojë furnizimet me armë nga SHBA: 'Ukraina mund të fitojë'

Gjenerali i sapoemëruar që do menaxhojë furnizimet me armë nga SHBA: 'Ukraina mund të fitojë'

12:05, 16/07/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Gjenerali amerikan Alexus Grynkewich sapo është bërë komandanti suprem aleat në Evropë i NATO-s (domethënë i dyti më i rëndësishëm në zinxhirin komandues ushtarak të Aleancës Atlantike), përveç rolit të tij si shef i komandës amerikane në Evropë.

Pritet që të jetë ai që do të mbikëqyrë procesin e furnizimit me armë për Ukrainën, të shpallur nga Trump pardje, dhe është domethënës fakti që edhe para vendimit të presidentit amerikan, Grynkewich kishte deklaruar se, sipas tij, Kievi mund ta fitojë këtë luftë.

Ai e ka deklaruar këtë gjatë seancës për konfirmimin e tij në Senat më 24 qershor. Kur senatori republikan nga Alabama, Tommy Tuberville, e pyeti pse mendonte kështu, Grynkewich u përgjigj: “Mendoj se sa herë që atdheu yt kërcënohet, lufton me një këmbëngulje që është e vështirë të kuptohet për ne nëse nuk kemi qenë në të njëjtën situatë.”

Fjalë që, në pamje të parë, duket se bien ndesh me ato të Trump-it, i cili e ka emëruar në këtë rol, por që kishte thënë se nuk ka zgjidhje ushtarake për luftën në Ukrainë dhe se Kievi e Moska duhet të negociojnë për t’i dhënë fund luftimeve.

Megjithatë, Grynkewich shtoi: “Presidenti ka qenë shumë i qartë se objektivat e tij në Ukrainë janë përfundimi i luftës dhe një armëpushim, dhe nëse konfirmohem në këtë rol, përgjegjësia ime do të jetë t’i ofroj një gamë të gjerë opsionesh për ta ndihmuar ta arrijë atë qëllim.”

Një nga këto opsione ka qenë gjithmonë “përshkallëzimi për të arritur de-përshkallëzim“, siç e quajti dje opinionisti David Ignatius në Ëashington Post: tani Trump duket se ka pranuar idenë se mënyra e vetme për ta detyruar Putinin drejt paqes është të rritet ndjeshëm kostoja që ai duhet të paguajë nëse vazhdon luftën. Një vendim që hap një kapitull të ri në historinë e Ukrainës, kapitull me shpresa, por edhe me rreziqe.

Familja e Grynkewich-it, 53 vjeç, gjeneral i Forcave Ajrore dhe ish-pilot i F16 dhe F22, vjen nga Evropa Lindore: sipas Moscow Times, stërgjyshi i tij, Ilya, emigroi në Shtetet e Bashkuara nga ajo që sot është Bjellorusia dhe u martua me një grua lituaneze në New York.

Shpejtësia në dërgimin e sistemeve të mbrojtjes Patriot dhe armëve të tjera në Ukrainë (si dhe sasia e tyre) mund të ndryshojë rrjedhën e ofensivës verore ruse. Patriot-ët nuk janë të vetmet sisteme amerikane që ukrainasit mund të përdorin për të mbrojtur qiellin.

Gjenerali ka thënë se forcat amerikane e kanë studiuar me kujdes rrjedhën e luftës në Ukrainë dhe kanë nxjerrë mësime të rëndësishme, veçanërisht nga rritja e rolit të mjeteve ajrore pa pilot. “Ritmi i inovacionit që kemi parë nga të dyja palët ka treguar se dronët e vegjël, të manovruar me saktësi dhe me municione vdekjeprurëse, mund të kenë efekte shkatërruese kundër forcave armike në vijën e frontit.”

Edhe gjenerali Chris Cavoli, paraardhësi i Grynkewich-it, i cili në ceremoninë e fundit të dorëzimit të detyrës u përshëndet si “ushtar, burrë shteti dhe lider me ndikim të madh”, në një intervistë për Corriere della Sera vitin e kaluar vuri në dukje potencialin e dronëve në Ukrainë, veçanërisht atyre detarë.

Gjatë kalimit të komandës, Grynkewich deklaroi se këto janë kohë vendimtare, me sfida që “po bëhen më komplekse dhe të ndërlidhura”, por që këto kërcënime nuk do të dëmtojnë unitetin, vendosmërinë dhe objektivat e përbashkëta, dhe premtoi se do të “punojë pa pushim për të ofruar udhëheqjen që meritojmë dhe që këto kohë kërkojnë.”

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco