Presidenti amerikan Donald Trump ka kërkuar që Prokurorja e Përgjithshme Pam Bondi të publikojë çdo informacion që ajo e konsideron “të besueshëm” në lidhje me rastin e Jeffrey Epstein, ndërsa përballet me kritika të pazakonta nga disa mbështetës të tij të linjës së ashpër.
Komentet e Trump vijnë pasi Bondi deklaroi javën e kaluar se nuk ka prova që Epstein mbante një "listë klientësh" apo se kishte shantazhuar figura të fuqishme. Kjo deklaratë ka shkaktuar pakënaqësi të theksuar në radhët e lëvizjes konservatore “MAGA” (Make America Great Again), e cila kërkon transparencë të plotë mbi rastin Epstein.
“Ajo e ka trajtuar shumë mirë këtë çështje, dhe është në dorën e saj. Çfarëdo që ajo mendon se është e besueshme, duhet ta publikojë,” tha Trump të martën gjatë një deklarate për media.
Megjithatë, ai vuri në dyshim vëmendjen e vazhdueshme ndaj çështjes Epstein, duke e quajtur “të ndyrë, por të mërzitshme”, dhe tha se “vetëm njerëz të këqinj, përfshirë mediat e rreme, duan që kjo të vazhdojë.”
Ndërkohë, zyrtarë të lartë republikanë si Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, kanë bërë thirrje për publikimin e plotë të dokumenteve.
“Ne duhet të nxjerrim gjithçka dhe të lejojmë qytetarët të vendosin,” tha Johnson në një intervistë.
Mbështetje për transparencë shprehën edhe kongresistet republikane Marjorie Taylor Greene dhe Lauren Boebert. Kjo e fundit madje kërkoi emërimin e një këshilltari special nëse nuk publikohen më shumë dosje nga rasti.
Senatori John Kennedy shtoi: “Është plotësisht e arsyeshme që amerikanët duan të dinë kujt ia trafikoi ai gratë dhe pse askush nuk u dënua.”
Pam Bondi, në një konferencë shtypi mbi krizën e fentanilit, refuzoi të komentojë për Epstein.
“Asgjë për Epstein. Nuk do të flas për këtë,” tha ajo.
Ajo iu referua një memorandumi të përbashkët të Departamentit të Drejtësisë dhe FBI-së, i cili konfirmon se Epstein vdiq nga vetëvrasja dhe nuk planifikohet publikimi i dokumenteve të tjera.
Sipas memorandumit, hetimet janë bazuar në mbi 300 gigabajtë të dhëna të shqyrtuara.
Jeffrey Epstein, një financier i lidhur me figura të fuqishme ndërkombëtare, u arrestua në vitin 2019 për trafikim seksual të të miturave. Ai vdiq në burg ndërsa priste gjyqin federal vdekje që zyrtarisht u shpall vetëvrasje, por që ka ushqyer teori konspirative dhe kërkesa të vazhdueshme për transparencë të plotë.
© SYRI.net