Importuesit amerikanë në garë me kohën për të shmangur tarifën 50% të Trump-it mbi kafen braziliane

Importuesit amerikanë në garë me kohën për të shmangur tarifën 50% të Trump-it mbi kafen braziliane

11:43, 16/07/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Tregtarët e kafes në SHBA po veprojnë me urgjencë për të importuar sa më shumë kafe nga Brazili përpara se të hyjë në fuqi tarifa e re prej 50% e shpallur nga administrata e presidentit Trump, që pritet të zbatohet më 1 gusht.

Të dhënat e fundit tregojnë se çmimet e konsumit në SHBA janë rritur në qershor, teksa kostot e tarifave po fillojnë të përçohen te konsumatorët, madje edhe tek një filxhan kafeje.

Disa tregtarë po ndryshojnë itinerarin e anijeve në mes të rrugës, duke anuluar ndalesat në porte të tjera për të përshpejtuar hyrjen e kontejnerëve me kafe braziliane në SHBA pa u ngarkuar me tarifën shtesë. Të tjerë po ridrejtojnë rezerva të kafesë braziliane që kishin planifikuar për tregjet e Meksikës apo Kanadasë, për t’i shitur në SHBA para afatit.

Ndërkohë, importuesit amerikanë kanë nisur të publikojnë çmimet me shumicë që përfshijnë tashmë edhe tarifën 50% për çdo ngarkesë që mbërrin pas datës 1 gusht.

"Riorientuam disa ngarkesa që ishin në rrugë të gjatë për të mbërritur më herët në SHBA," tha Jeff Bernstein, drejtor menaxhues i kompanisë tregtare RGC Coffee. "Por për disa ngarkesa të tjera nuk kishim mundësi të shpejtonim procesin."

Për ngarkesat që ende nuk janë nisur nga Brazili, nuk ka asnjë mënyrë për t’i shmangur tarifat.

Brazili, burim kyç për SHBA-në

Brazili prodhon rreth një të tretën e kafes që konsumohet në SHBA, si kafe me origjinë të vetme, por edhe si përbërës kryesor në përzierje të ndryshme. Vetë SHBA-ja prodhon vetëm rreth 1% të kafes që konsumon.

Çmimet e kafes në tregun amerikan janë rritur ndjeshëm, veçanërisht pas një rritjeje 70% në tregjet globale vitin e kaluar, të shkaktuar nga mungesa në prodhim.

Nëse tarifa e re zbatohet, siç është paralajmëruar, ajo pritet të sjellë një valë të re rritjesh çmimesh, paralajmërojnë aktorët e tregut.

"Kjo është një formë takse që dëmton bizneset amerikane. Askënd tjetër. As Brazilin. As presidentin Lula," tha Steve Walter Thomas, CEO i importuesit amerikan Lucatelli Coffee. "Kjo tarifë është një kërcënim ekzistencial për biznese si yni."

Marrëveshjet tregtare në pikëpyetje

Kooperativa braziliane Expocacer, e cila e ka rritur eksportin drejt SHBA-ve me 15% vitin e kaluar, konfirmon se nuk do të ketë rinegociim për kontratat me dërgesë pas 1 gushtit.

"Është një taksë e brendshme, e vendosur nga vendi importues. Është importuesi që e paguan dhe më pas e kalon koston te konsumatori," u shpreh presidenti i Expocacer, Simao Pedro de Lima. Ai shtoi se pas njoftimit të tarifës nga Trump, nuk janë firmosur marrëveshje të reja me blerësit amerikanë.

Nëse tarifa mbetet në fuqi, pritet një rishpërndarje globale e rrjedhës së kafesë: kokrrat braziliane do të shkojnë më shumë drejt Europës dhe Azisë, ndërsa SHBA-ja do të përpiqet të mbulojë nevojat nga vendet e Afrikës, Amerikës Qendrore dhe Jugore.

Por kjo do të sjellë kosto shtesë për importuesit dhe vështirësi logjistike.

Një tregtar anonim deklaroi për Reuters se një e treta e përzierjeve të kafesë të përdorura nga zinxhirët si Dunkin’ Donuts dhe Tim Hortons vjen nga Brazili. E njëjta gjë vlen edhe për Starbucks.

Asnjë nga këto kompani nuk ka komentuar publikisht për tarifën e re.

Shoqata Kombëtare e Kafes në SHBA gjithashtu nuk ka bërë ndonjë deklaratë lidhur me tarifën, por ka theksuar se "kafja është pjesë thelbësore e jetës së përditshme të amerikanëve dhe e ekonomisë", duke shtuar se dy të tretat e të rriturve amerikanë pinë kafe çdo ditë.

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco