Rusia ka hedhur në treg një linjë të re qirinjsh aromatikë me emrin e presidentit Vladimir Putin, të cilët, sipas prodhuesit, synojnë të “mbushin shtëpitë me aromën e patriotizmit”.
Produkti është bërë viral në rrjet dhe ka ngjallur debat për nivelin e propagandës dhe kultit të personalitetit në Rusi.
Qirinjtë, të quajtur “Aroma Putin Black Vanilla” dhe “Aroma Putin Dark Amber”, premtojnë të përhapin aromën në dhomë brenda 30 minutave dhe kushtojnë rreth 6 euro (546 rubla). Ato prodhohen me dorë nga dyll natyral dhe kanë fitil prej druri që imiton tingullin e një oxhaku të ndezur, sipas përshkrimit të produktit të cituar nga The Moscow Times.
Prodhuesi rus pretendon se ka shitur mbi 25,000 copë, ndërsa produktet janë të disponueshme në tregjet online ruse, si Wildberries. Qirinjtë promovohen si “simbol patriotik”, dhe përveç versionit me emrin e Putinit, ofrohen edhe versione të tjera me etiketa si “Simbolet e Perandorisë Ruse”, “Të mbështesim tanët!” dhe “Aroma e Patriotizmit”, shpesh me sfond ushtarësh apo flamuj shtetërorë.
Ky fenomen është komentuar nga gazetari portugez José Milhazes si një shembull i qartë i thellimit të kultit të personalitetit në Rusi, gjatë emisionit të tij “Daqui Moscovo” në televizionin SIC.

Megjithëse ideja mund të duket e çuditshme, Rusia nuk është e vetmja që përdor imazhin e liderëve për qëllime komerciale. Ish-presidenti amerikan Donald Trump së fundmi hodhi në treg parfumin “Victory 45-47”, me një çmim prej 249 dollarësh, duke e shoqëruar me slogane si “Fitorja, Forca dhe Suksesi”.
Ndërkohë që ekonomia botërore po përballet me kriza dhe miliona qytetarë përballen me probleme reale, disa liderë duket se preferojnë të promovojnë “aromën” e pushtetit. Në rastin rus, kjo aromë ka emrin “Putin”.
© SYRI.net