Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, do të presë sot në një takim zyrtar kryeministrin e Katarit, Sheikh Mohammed bin Abdulrahman Al-Thani, në Shtëpinë e Bardhë.
Vizita e nivelit të lartë vjen në një moment kritik për zhvillimet në Lindjen e Mesme, me konfliktin në Gaza dhe tensionet me Iranin në qendër të bisedimeve.
Sipas burimeve të konfirmuara nga Axios dhe Reuters, Presidenti Trump do të shtrojë një darkë zyrtare për kryeministrin Al-Thani, ku pritet të diskutohen përpjekjet për një armëpushim të mundshëm ndërmjet Izraelit dhe Hamasit – negociata që aktualisht po ndërmjetësohen nga Katari dhe Egjipti.
Katari ka luajtur një rol kyç në lehtësimin e bisedimeve indirekte mes palëve në konflikt, dhe sipas zyrtarëve amerikanë, Uashingtoni sheh Doha-n si një partner strategjik në përpjekjet për stabilitet në rajon.
Temë tjetër me rëndësi në axhendë pritet të jetë edhe programi bërthamor i Iranit.
Dy liderët do të diskutojnë mundësinë e rifillimit të negociatave indirekte mes SHBA-së dhe Republikës Islamike, të cilat kanë mbetur të ngrira prej muajsh.
Vizita e kryeministrit të Katarit në SHBA vjen në një kohë kur administrata Trump po përpiqet të rifitojë ndikimin diplomatik në rajon dhe të arrijë një marrëveshje për armëpushim në Gaza, që mund të çojë në një paqe të përhershme.
© SYRI.net