Ndërsa Vjena ka kryesuar për vite me radhë Indeksin Global të Jetueshmërisë, në vitin 2025 një qytet i ri ka zënë vendin e parë. Nga Kopenhaga në Melburn, pyetëm banorët vendas si është realisht të jetosh në këto qytete të njohura për cilësinë e lartë të jetesës.
Njësia e Inteligjencës së “The Economist” (EIU) prej kohësh rendit qytetet e botës bazuar në të dhëna që tregojnë ku jeta është më e rehatshme dhe e sigurt. Qytetet më të renditura kanë qenë të qëndrueshme gjatë viteve të fundit, por në vitin 2025 ndodhi një ndryshim i madh: pas tre vitesh në krye, Vjena u rrëzua nga vendi i parë, ndërsa Kopenhaga u ngjit në majë falë rezultateve të përsosura në stabilitet, arsim dhe infrastrukturë – një treshe e vështirë për t'u tejkaluar.
Megjithatë, lëkundjet më të mëdha në renditje këtë vit nuk kishin të bënin vetëm me pikët – por me sigurinë, ndërsa tensionet gjeopolitike po rriten globalisht. Vjena, në veçanti, pësoi rënie pas një kërcënimi me bombë që anuloi koncertin e Taylor Swift në vitin 2024, si dhe një sulm të planifikuar në një stacion treni.
Sidoqoftë, qytetet në Evropën Perëndimore, Australi, Zelandën e Re dhe Kanada vazhdojnë të performojnë mirë në renditje, me Osakën si qytetin e vetëm aziatik që futet në top 10. Por si është të quash shtëpi një nga këto qytete? Pyetëm banorët vendas për ta zbuluar.

Kopenhaga – vendi i parë
Kryeqyteti danez, që u rendit i pari për jetueshmëri në vitin 2025, është gjithashtu i njohur si qyteti më i lumtur në botë. Këto dy fakte lidhen ngushtë, pasi stabiliteti, infrastruktura dhe mjedisi i mirë ndikojnë drejtpërdrejt në lumturinë e përditshme të banorëve.
“Treni vjen në 12:16 kur është planifikuar në 12:16. Askush nuk habitet nëse shfaqesh me atlete në një restorant luksoz, dhe mund të lahesh në portin e pastër edhe në janar, nëse je i guximshëm,” – thotë Thomas Franklin, banor i Kopenhagës dhe CEO i Swapped.com. “Më fiton çdo herë me qetësinë e vet. Rrugët janë të gjera, biçikletat janë më shumë se makinat dhe qyteti funksionon mbi logjikën e shëndoshë.”
Franklin vlerëson gjithashtu frymën komunitare dhe mungesën e presionit – “mund të takosh një mik për kafe në breg të ujit pa planifikim dhe të qëndrosh dy orë pa orë në dorë.” Ai e përshkruan qytetin si të thjeshtë, por efektiv: “Është një qytet që nuk përpiqet shumë, por gjithmonë ia del.”
Top 10 qytetet më të banueshme për vitin 2025:
-Kopenhagë, Danimarkë
-Vjenë, Austri (barazim)
-Zyrih, Zvicër (barazim)
-Melburn, Australi
-Gjenevë, Zvicër
-Sidnej, Australi
-Osaka, Japoni (barazim)
-Auckland, Zelandë e Re (barazim)
-Adelaide, Australi
Vankuver, Kanada
Vjena – nga vendi i parë në të dytin

Edhe pse ra nga vendi i parë, Vjena ka ende rezultatin më të lartë për shëndetësi dhe ruan pikët e plota për arsim dhe infrastrukturë.
“Jam nga Nju Jorku dhe u shpërngula në Vjenë për stilin e jetesës katër vite më parë – dhe nuk kam ndërmend të kthehem,” – thotë Nataleigh O’Connell, këshilltare komunikimi në UNIDO.
Ajo përmend përballueshmërinë si një avantazh kryesor: një apartament me një dhomë gjumi në qendër të qytetit kushton më pak se 850 euro në muaj, ndërsa transporti publik është i pastër dhe kushton vetëm 1 euro në ditë.
Gjeneva – e vogël, por ndërkombëtare
Gjeneva është një qytet i vogël me ndjesi të madhe. Me infrastrukturë dhe shëndetësi perfekte, qyteti është i pastër, i sigurt dhe i lehtë për t’u lëvizur – pa nevojë për makinë.
“Është një qytet i menaxhuar mirë në një vend të menaxhuar mirë,” – thotë James F. Royal, autor dhe ish-banues në Florida.

Qyteti ka mbi 40% banorë të lindur jashtë vendit dhe ofron shumëllojshmëri në kuzhinë dhe kulturë. Bukuritë natyrore si Liqeni i Gjenevës dhe Parku La Grange e bëjnë jetën e përditshme të këndshme.
Melburn – kultura dhe lëvizshmëria në harmoni
Renditur i katërti, Melburn ka pikë të plota në shëndetësi, arsim dhe rezultate të larta në kulturë dhe mjedis. Avokati Oliver Morrisey thotë se e zgjodhi qytetin për efikasitetin e tij.

“Mund të ec nga Gjykata e Lartë te klienti në 15 minuta dhe më pas të marr vajzën time për një shëtitje në kopshtet Fitzroy,” – thotë ai. “Jetueshmëria do të thotë lëvizje e lehtë mes pjesëve që kanë rëndësi në jetë.”
Qyteti ka një atmosferë multikulturore, shumë aktivitete dhe ushqime të ndryshme, si dhe një transport të shpejtë dhe të përfshirë.
Osaka – thesari i fshehur i Japonisë
I vetmi qytet aziatik në listë, Osaka mori pikë të plota në stabilitet, arsim dhe shëndetësi. Banorët e duan ndjesinë e thjeshtë, por të mirëorganizuar që e bën jetën këtu të rehatshme.
“Është për Japoninë çfarë është San Francisko për SHBA-në: më e vogël, por me shije të vetën,” – thotë Graham Hill, menaxhues i faqes Osaka City.

Qyteti ofron ushqim të mrekullueshëm, transport efikas dhe njerëz të ngrohtë. Dominic Dijkstra, drejtor miksologjie në Waldorf Astoria Osaka, e përshkruan si një qytet të pasur në përvoja dhe humor të përditshëm që të bën të ndihesh si në shtëpi./BBC - Syri.NET
© SYRI.net