Komisioni Europian ka nisur një hetim ndaj katër faqeve pornografike, Pornhub, Stripchat, XNXX dhe XVideos, pas dyshimeve se kanë dështuar në mbrojtjen e të miturve nga përmbajtjet për të rritur.
Sipas ekzekutivit të Bashkimit Europian, platformat në fjalë nuk kanë zbatuar masa të efektshme për verifikimin e moshës, duke lejuar kështu qasjen e fëmijëve në përmbajtje të ndaluara.
Verifikimi me vetëm një klikim, pra vetëdeklarimi i moshës, është cilësuar si i papërshtatshëm për të mbrojtur fëmijët.
Hetimi është hapur në bazë të Aktit të Shërbimeve Dixhitale (DSA), një ligj i ri i BE-së që synon të luftojë dëmet online, përfshirë keqinformimin, fjalimin e urrejtjes dhe ekspozimin e fëmijëve ndaj përmbajtjeve që dëmtojnë shëndetin mendor.
“Ky është një hap i rëndësishëm për mbrojtjen e fëmijëve në internet”, tha një zyrtar i BE-së, duke theksuar vendosmërinë për zbatim të rreptë të ligjit.
Platformat mund të shmangin ndëshkimin nëse paraqesin sisteme të reja të verifikimit të moshës që përmbushin standardet e BE-së. Nëse shkeljet vërtetohen, ato mund të përballen me gjoba deri në 6% të xhiros globale vjetore.
Aktualisht, vetëm platformat me mbi 45 milionë përdorues janë nën mbikëqyrjen direkte të Komisionit Evropian, ndërsa të tjerat mbikëqyren nga autoritetet kombëtare.
© SYRI.net