Biden kërcënon Izraelin se do t'i ndalojë disa furnizime me armë nëse pushton Rafahun

Biden kërcënon Izraelin se do t'i ndalojë disa furnizime me armë nëse pushton Rafahun

07:47, 09/05/2024
A+ Aa A-

Presidenti amerikan Joe Biden e ka paralajmëruar Izraelin se SHBA do të ndalojë furnizimin me disa armatime nëse nis një operacion të madh tokësor në qytetin Rafah të Gazës.

"Nëse ata hyjnë në Rafah, unë nuk do t’i furnizoj me armët që kanë përdorur historikisht për t'u marrë me Rafahun," tha ai gjatë një interviste për CNN.

Ai shtoi se do të "vazhdojë të sigurohet që Izraeli të jetë i mbrojtur".

Pavarësisht kundërshtimit të fortë dhe të zëshëm të SHBA-së, Izraeli duket i gatshëm të kryejë një pushtim në shkallë të gjerë të Rafahut, shkruan BBC.

Kjo pjesë e mbingarkuar e Gazës jugore është bastioni i fundit i madh i Hamasit në territor. Zyrtarët amerikanë kanë paralajmëruar se një operacion në qytet - ku popullsia është shtuar me refugjatë nga pjesë të tjera të Gazës - mund të çojë në viktima të shumta civile.

"Ne nuk do t’i furnizojmë me armë dhe predha artilerie," tha zoti Biden në intervistën, e cila u transmetua të mërkurën.

Ai tha se SHBA nuk e përkufizoi situatën aktuale në Rafah si një operacion tokësor. "Ata nuk kanë shkuar në qendrat e popullsisë. Ajo që bënë është pikërisht në kufi," tha ai.

"Por ia kam bërë të qartë (Kryeministrit izraelit Netanyahu) dhe kabinetit të luftës, se ata nuk do të kenë mbështetjen tonë, nëse shkojnë në këto qendra të popullsisë."

Zoti Biden pranoi se armët amerikane ishin përdorur nga Izraeli për të vrarë civilë në Gaza.

I pyetur nëse Izraeli kishte kaluar "vijën e kuqe", presidenti amerikan u përgjigj "ende jo".

Komentet përbëjnë paralajmërimin më të fortë të presidentit për një pushtim të mundshëm tokësor të Rafahut dhe shënojnë herën e parë që ai ka thënë se SHBA mund të ndalojë dërgesat e armëve amerikane në Izrael.

Ambasadori i Izraelit në OKB tha se vendi ishte "shumë i zhgënjyer" nga ndërhyrja e zotit Biden.

"Kjo është një deklaratë e vështirë dhe shumë zhgënjyese për t'u dëgjuar nga një president të cilit i kemi qenë mirënjohës që nga fillimi i luftës," i tha Gilad Erdan, transmetuesit publik izraelit "Kan radio".

Shtetet e Bashkuara tashmë kanë vonuar një dërgesë me mijëra bomba në Izrael dhe kanë thënë se janë duke rishikuar dërgesat e ardhshme.

Të mërkurën, Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin e pranoi vonesën e dërgimit të bombave kur po dëshmonte para Senatit, bomba që janë ndër municionet më shkatërruese në arsenalet ushtarake perëndimore./ar.sh/SYRI.NET

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco