Përmbytjet apokaliptike, që shkundën 'qytetin e përsosur'

Përmbytjet apokaliptike, që shkundën 'qytetin e përsosur'

10:25, 20/04/2024
A+ Aa A-

Nëse Dubai cilësohet qyteti më i mirë në Instagram, këtë javë i janë hequr filtrat. Për rreth 48 orë, qiejt e Emirateve të Bashkuara Arabe janë errësuar dhe stuhitë e rrëmbyeshme kanë shpërlarë imazhin perfekt të Dubait.

Gjatë një dite të vetme, ka rënë afërisht dyfishi i mesatares vjetore të shiut në Emiratet e Bashkuara Arabe, duke lënë nën ujë pjesën më të madhe të infrastrukturës së jashtme të qytetit.

Jordache Ruffelsi, britanik që jeton në Dubai, ka thënë se përjetimi i stuhive ka qenë “sikur të jetoje nëpër apokalips”.  Ai ka parë nga apartamenti i tij mobiliet duke fluturuar nga ballkonet prej erërave të forta dhe makinat Rolls Royce që ishin braktisur në rrugët tashmë të shndërruara në lumenj.

 

“Ne jetojmë në katet e larta dhe me zor shihnim ndonjë gjë përtej ballkonit… Dukej si mesnatë në mes të pasdites”, ka thënë ai. Emiratet e Bashkuara Arabe u goditën nga katër stuhi të mëdha njëra pas tjetrës. Secila arrinte gati 15 kilometra në atmosferë, sipas parashikuesve të BBC Weather.

Reshjet e dendura të shiut mbi peizazhin shkretinor të Gjirit nuk janë të parat. Banorët ishin paralajmëruar përmes sistemit të alarmit publik – por infrastruktura e motit të Dubait ishte e papërgatitur për shiun më të rëndë që nga viti 1949.

Në shumë mënyra, pak nga qytetet moderne mund ta përballonin sasinë e përmbytjes që ka goditur Dubain këtë javë.

Atraksionet kryesore të qytetit – shumica tashmë të mbyllura për t’i mbrojtur nga nxehtësia – kanë ngecur në përballimin e fluksit të papritur të ujit.

Caroline Seuberti, 29-vjeçare nga Mbretëria e Bashkuar, ishte me burrin e saj në një qendër tregtare kur ka goditur stuhia.

“Qendra ishte përmbytur, tavani ishte duke rënë”, ka rrëfyer ajo. “Neve na thanë të largoheshim, por metroja ishte jashtë funksionit dhe taksitë nuk po punonin. Ne ishim të bllokuar dhe na u desh ta kalonim natën në hollin e qendrës”.

Matt Weiri, mësues britanik që ka qenë duke jetuar në Dubai për 10 vjet, ka thënë se “njerëzit ishin të vetëdijshëm” se po afrohej një stuhi, por fuqia e saj “i la lagjet nën ujë”.

Edhe pse parashikohet që java e ardhshme të jetë më e ngrohtë, nuk janë përjashtuar mundësitë për stuhi – dhe me rrugët dhe infrastrukturat e tjera akoma të dëmtuara, udhëheqësit e Dubait janë duke i llogaritur kostot.

Presidenti i Emirateve, Mohammed bin Nahyani, ka lëshuar urdhër publik për “autoritetet që të punojnë shpejt për studimin e gjendjes së infrastrukturës përgjatë vendit dhe për ta llogaritur dëmin e shkaktuar”.

Punonjësve qeveritarë u është thënë të punojnë nga shtëpia deri në fund të javës dhe firmat private janë inkurajuar për ta bërë të njëjtën gjë. Shkollat përgjatë vendit janë mbyllur.

Si pasojë e përmbytjeve dhe stuhive në Emirate e ka humbur jetën një burrë i moshuar i cili ka vdekur kur makina e tij ishte hedhur nga era në Ras Al Khaimah, sipas mediave lokale.

Disa nga problemet më të mëdha i ka përjetuar Aeroporti Ndërkombëtar i Dubait – i dyti më i ngarkuari në botë – ku gati 90 milionë njerëz priten të kalojnë në vitin 2024. Është qendër e rëndësishme për udhëtimet për në Gji dhe fluturimet lidhëse për në vendet më të largëta – por dëshmitarët thonë se është përmbytur.

Përmbytja e rrugëve lidhëse e ka bërë të pamundur që aeroplanët të arrinin pistën dhe pasagjerët mbetën të bllokuar në terminal.

Linja ajrore e vendit, “Emirates”, është detyruar ta ndalojë pranimin e pasagjerëve. Edhe pse tashmë ka rihapur ‘check-inin’ e pasagjerëve, ajo thotë se shumë pasagjerë “janë duke pritur akoma për të udhëtuar”.

Jo Reilly është në mesin e udhëtarëve që ka mbetur në pritje. 41-vjeçarja ishte duke fluturuar për në Mbretërinë e Bashkuar nga Vietnami përmes Dubait me vajzat e saj Holly, 13-vjeçare dhe Ruby 9-vjeçare, kur ka goditur stuhia.

Pas dy orëve e gjysmë mbi Gji duke pritur për një mundësi për të aterruar, ata më në fund janë ulur në një tjetër aeroport të Dubait, para se t’u thoshin në mes të natës të hipnin në një autobus për t’u nisur drejt destinacionit të tyre të parë.

Kur më në fund kanë arritur në Aeroportin Ndërkombëtar të Dubait, situata nuk ishte më e mirë. “Ne pyetëm se a mund të marrim pak ujë ose ushqim? Asgjë. Nuk kishte asgjë atje. Njerëzit janë në gjendje vërtetë të keqe”, ka thënë ajo. “Na kanë thënë se dita më e hershme që mund të shkojmë në shtëpi është mbrëmja e së dielës dhe me sa duket jemi mjaft me fat që e kemi atë opsion. Emiratet janë duke thënë se nuk ka dhoma hoteli kështu që i kam pyetur, ‘Oh, të vazhdojmë të flemë në tokë atëherë?’ Dhe ata më kanë thënë, ‘Po, rehatohuni atje’ duke treguar me gisht kah qoshja e zonës së check-init”.

Jonathan Finchetti, gjithashtu nga Mbretëria e Bashkuar, e ka përshkruar situatën “apokaliptike” në aeroport, ku njerëzit kanë arritur aty vetëm për të parë që fluturimi i tyre është anuluar.

Radhët në tavolinat e biletave ishin “kaos i vërtetë”, ka thënë ai, duke shtuar se “ka pasur qindra njerëz që nxitonin drejt saj, si të egërsuar”. “Papritur kishte gra që bërtisnin duke thënë se nuk mund të merrnin frymë”, ka shtuar ai.

Emiratet kanë thënë se e kanë vlerësuar “se sa e vështirë ishte për të gjithë të prekurit” dhe se oraret do të ktheheshin në normalitet. “Sa më shumë që ka qenë e mundur, ne kemi siguruar ndihma të nevojshme dhe rehati për mysafirët e prekur, por për shkak të bllokimit të rrugëve, na është dashur kohë më e gjatë se sa që kemi pasur dëshirë”, thuhet në njoftimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Dubait.

Sa i përket asaj se si janë gjërat tani në qytet, Jordache Ruffelsi ka thënë se gjërat “praktikisht janë kthyer në normalitet” pas veprimit të shpejtë nga autoritetet. “Ka një ndjenjë uniteti dhe bashkimi në kohëra si kjo”, ka shtuar ai.

Dubai numëron më shumë se 3.5 milionë banorë. Në vitet e ’70-a kishte vetëm 100 mijë, por zhvillimin e përjetoi falë zhvillimit me naftë.

Atje ka gjithashtu fluks vjetor prej 14 milionë turistësh, duke përfshirë influencuesit dhe të famshmit që kërkojnë hotele luksoze dhe ambiente magjepsëse.

Imazhi i tij modern rrjedh së bashku me kontrollin e fortë rregullator dhe politik të përmbajtjeve të mediave ku edhe publikimet e huaja mund të censurohen përpara shpërndarjes.

Matthew Hedges është studiues akademik i cili ka shkruar një libër për Emiratet. Në vitin 2018, ai ishte arrestuar dhe torturuar pasi ishte akuzuar padrejtësisht për spiunazh. Ai ka thënë se ka folur me banorët të cilët janë të nevrikosur me mungesën e përgatitjes për këto vërshime dhe të cilët e dinë se moti ekstrem është problem afatgjatë me të cilin ballafaqohet vendi.

“Ata nuk kanë absolutisht asnjë mënyrë për t’i shprehur në mënyrë legjitime ose të sigurt shqetësimet e tyre. Nëse e bëjnë, do të ndëshkohen dhe do të shtypen”, ka thënë ai. Ai gjithashtu ishte i shqetësuar për punonjësit e varfër imigrantë në Emirate – të cilët përbëjnë shumicën e popullatës dhe ka të ngjarë që të goditen më fort nga këto ngjarje klimatike.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco