Prifti italian fillon të predikojë në bare pas pjesëmarrjes së ulët në kishë

Prifti italian fillon të predikojë në bare pas pjesëmarrjes së ulët në kishë

16:11, 17/04/2024
A+ Aa A-

Një prift sardinez ka gjetur një mënyrë të re për të përhapur ungjillin pas rënies së interesit për kishën, duke e bërë këtë para një birre.

Atë Antonio Maria Cossu, i njohur si Don Totoni, ka qenë famullitar në qytetin e vogël të Bitti-t për shtatë vitet e fundit.

Ndonëse frekuentimi në kishën e tij mbetet i kënaqshëm, 67-vjeçari pranon se shumë prej besimtarëve "mungojnë" dhe vijnë vetëm për festa të veçanta fetare, dasma apo funerale.

Në vend që t'i shtynte njerëzit të merrnin pjesë në kishë, z. Cossu filloi të mbante predikime në mbrëmje në baret aty pranë, duke i shoqëruar ato me fletëpalosje të titulluara "gjysmë birre evangjelike, të flasësh për Jezusin".

Image

"Vizioni im i fesë nuk ka qenë kurrë ai që të veproj pas dyerve të mbyllura të një sakristie ose të pres që njerëzit të fillojnë të vijnë në meshë", tha ai për The Telegraph.

"Gjithmonë kam dashur të jem në mes të njerëzve, jo i ndarë. Duhet të jesh në kishë, por edhe të shkosh atje ku jetojnë njerëzit."

Që nga fillimi i predikimeve të tij në orën 19:30 dy vjet më parë, 10 bare në Bitti janë regjistruar në nismën e tij.

"Njerëzit e kanë mirëpritur këtë propozim, më dëgjojnë me simpati dhe respekt për rreth 40 minuta dhe në fund pimë një ose dy birra së bashku," tha ai. "Ungjilli mbjell farën dhe Perëndia bën pjesën tjetër.

"Falënderoj baristat e Bitti-t dhe të gjithë njerëzit që më mirëpresin, për mikpritjen e tyre dhe mundësinë që më dhanë për t'u sjellë atyre fjalën e Jezusit," tha zoti Cossu. "Unë jam optimist se qyteti ynë do të ruajë besimin e tij."

Z. Cossu, i cili ka lindur në Sardenjë, ka qenë prift për 44 vjet. Para se të mbërrinte në Bitti, ai kak punuar në pjesë të tjera të Italisë dhe gjithashtu ka shërbyer si misionar në Argjentinë ku është takuar me Papa Françeskun.

"E mbaj mend, por nuk e di nëse ai më mban mend mua" qeshi ai.

Sipas një sondazhi të Qendrës Kërkimore Pew në vitin 2023, 78 për qind e italianëve thonë se janë katolikë. Por agjencia e statistikave, Istat, thotë se vetëm 19 për qind shkojnë në meshë të paktën çdo javë, ndërsa 31 për qind nuk shkon kurrë./telegraph

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco