Lajmi i fundit

LIVE/ Qytetarët tubim në mbështetje të liderit të opozitës, Sali Berisha

Sunak: Britania e Madhe nuk do të pranojë kthimin e azilkërkuesve nga Irlanda

Sunak: Britania e Madhe nuk do të pranojë kthimin e azilkërkuesve nga Irlanda

10:45, 30/04/2024
A+ Aa A-

Të dy vendet ankohen se atyre u kërkohet në mënyrë efektive të zgjidhin problemet e imigracionit të njëri-tjetrit.

Ministrat britanikë dhe irlandezë po përpiqen të zbusin tensionet midis qeverive të tyre, pasi Londra refuzon të pranojë kthimin e azilkërkuesve që mbërrijnë në Irlandë – shumë prej të cilëve me sa duket po ikin nga Britania nga frika e dëbimit në Afrikë, në Ruandë.

Qeveria britanike miratoi kohët e fundit një ligj shumë të diskutueshëm, sipas të cilit azilkërkuesit dhe të tjerët që mbërrijnë në Mbretërinë e Bashkuar me mjete të paligjshme, të tilla si varkat e vogla që kalojnë Kanalin Anglez, do të dërgohen në Ruandë ku do të shqyrtohen rastet e tyre.

Sot, zyrtarët irlandezë pritet të diskutojnë legjislacionin e ardhur me urgjencë për një politikë të re mbi "kthimin" e migrantëve në Mbretërinë e Bashkuar.

Ministrja e Drejtësisë e Irlandës, Helen McEntee, pohoi javën e kaluar se numri i azilkërkuesve që kalonin nga Irlanda e Veriut në drejtim të Irlandës tani ishte "më i lartë se 80%. Ajo nuk dha shifra të sakta.

Kryeministri irlandez Simon Harris tha të dielën se Irlanda nuk do të "bëhet shteg për problemet e emigracionit të dikujt tjetër" pasi një nga ministrat e tij tha se më shumë se 80% e azilkërkuesve që hyjnë në Irlandë tani, kalojnë kufirin tokësor nga Irlanda e Veriut, e cila është pjesë e Mbretërisë e bashkuar.

Sunak, megjithatë, e ka hedhur poshtë propozimin.

“Ne nuk do të pranojmë kthime nga BE-ja nëpërmjet Irlandës, kur Bashkimi Evropian nuk pranon kthime në Francë, andej nga vijnë emigrantët e paligjshëm”, tha ai të hënën.

Sunak pretendon se shtimi i emigrantëve që kalojnë në Irlandë nga Mbretëria e Bashkuar tregoi efektin parandalues që synohej me politikën e Ruandës, të cilën kundërshtarët vendas, kritikët ndërkombëtarë dhe organizatat e të drejtave të njeriut e kanë cilësuar si çnjerëzore dhe potencialisht të paligjshme.

Chris Heaton-Harris, Ministri i Mbretërisë së Bashkuar për Irlandën e Veriut dhe Zv.kryeministri irlandez Micheal Martin kërkuan të minimizojnë çdo përçarje mbi çështjen e emigrantëve në një konferencë shtypi të hënën.

Vendet janë të përkushtuara së bashku për të "mbrojtur zonën e përbashkët të udhëtimit nga abuzimi", tha Heaton-Harris.

Legjislacioni i propozuar i qeverisë irlandeze për kthimin e azilkërkuesve në Mbretërinë e Bashkuar është një përgjigje ndaj një vendimi të Gjykatës së Lartë irlandeze javën e kaluar, e cila zbuloi se përcaktimi i Irlandës nga Mbretëria e Bashkuar si një "vend i tretë i sigurt" për azilkërkuesit, është në kundërshtim me ligjin e BE-së.

Politika e imigracionit në Irlandë është bërë më e ashpër vitet e fundit, me një fluks refugjatësh nga Ukraina dhe gjetkë që shton krizën mbarëkombëtare të strehimit.

Grupet e ekstremit të djathtë kanë shfrytëzuar të ardhurit për të nxitur një lëvizje të vogël por të zëshme që kundërshton strehimin e të huajve, veçanërisht të myslimanëve dhe afrikanëve.

Një goditje me thikë e kryer nga një burrë me origjinë algjeriane vitin e kaluar shkaktoi trazirë në Dublin, duke tronditur një vend që nuk është mësuar me shfaqjet e dhunës raciste.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco