Kryetari i Komisioni të Zbulimit të Dhomës së Përfaqësuesve paralajmëron për një kërcënim serioz të sigurisë kombëtare

Kryetari i Komisioni të Zbulimit të Dhomës së Përfaqësuesve paralajmëron për një kërcënim serioz të sigurisë kombëtare

08:19, 15/02/2024
A+ Aa A-

Kryetari republikan i Komisionit për Zbulimin të Dhomës së Përfaqësuesve i bëri thirrje administratës së Presidentit Biden të mërkurën të deklasifikojë informacionin për atë që ai e quajti një kërcënim serioz të sigurisë kombëtare. Ligjvënësi Mike Turner nuk dha detaje për natyrën e kërcënimit dhe administrata e Presidentit Biden refuzoi të jepte përgjigje. Por disa nga ligjvënësit kryesorë, përfshirë Kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve Mike Johnson kërkuan të bëhet kujdes për të mos ngjallur panik.

Një këshilltar i lartë i një ligjvënësi tha, se sipas tij, kërcënimi lidhet me një armë ruse kundër-satelitore në hapësirë, për të cilën ende nuk dihet nëse është vendosur në hapësirë apo jo. Një armë e tillë mund të paraqesë rrezik të madh për satelitët amerikanë. Këshilltari, i cili foli me kusht që të mos të identifikohet, tha se ende nuk është e qartë nëse kjo armë ruse ka kapacitet bërthamor, por shtoi se ky është burimi i frikës.

Zoti Turner gjatë ditës së mërkurë u dërgoi një letër anëtarëve të Dhomës së Përfaqësuesve duke thënë se komisioni ka “identifikuar një çështje urgjente për një kapacitet të huaj destabilizues ushtarak” që duhet të ndahet me të gjithë politikbërësit e Kongresit. Ai i nxiti ata të shkojnë në një dhomë të sigurtë për t’u njohur me informacionin. Zoti Turner është njëri prej zërave që kërkon një politikë më të fuqishme kombëtare amerikane, që e ka përplasur atë me disa nga kolegët e tij republikanë që ndjekin një politikë më izoluese. Ai ka bërë thirrje për forcim të mjeteve të përgjimit të qeverisë amerikane, ndërkohë që disa republikanë dhe demokratë të vijës liberale, kanë ngritur shqetësime rreth privatësisë.

Ai po ashtu përkrah vazhdimin e ndihmës ushtarake amerikane për Ukrainën në luftën e saj kundër Rusisë në një kohë kur çështja e sigurimit të financimit është e pasigurtë për shkak të kundërshtimit në Dhomën e Përfaqësuesve ku shumicën e përbëjnë republikanët. Kryetari i kësaj dhome, Johnson tha se nuk është i autorizuar të zbulojë informacionin sekret. “Duam t’i sigurojmë të gjithë, se jemi në kontroll të situatës. Po punojmë dhe nuk ka nevojë për alarm,” u tha ai gazetarëve në Kapitol.

Ligjvënësi demokrat Jim Himes, anëtar i lartë i Komisionit për Zbulimin, tha në një deklaratë se informacioni sekret është “i rëndësishëm” por “nuk ka arsye për panik.”. Komisioni i Zbulimit i Senatit deklaroi se po e përcjell situatën. “Do të vazhdojmë ta trajtojmë me seriozitet këtë çështje dhe jemi duke diskutuar hapat e ardhshëm me administratën,” deklaruan kryetari i komisionit Senatori Mark Warner dhe Senatori Marco Rubio, nën-kryetari republikan. “Ndërkohë, duhet të jemi të kujdesshëm për të mos zbuluar burimet dhe metodat që mund të jenë qenësore për t’iu ofruar Shteteve të Bashkuara një mori opsionesh për veprim”, shtuan ata.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco