A do të kalojë Putin përtej kufijve të Ukrainës?

A do të kalojë Putin përtej kufijve të Ukrainës?

15:06, 11/02/2024
A+ Aa A-
Janë së paku tri shtete – dy prej tyre anëtare të NATO-s, tjetri në rrugë për t’u anëtarësuar – që kanë paralajmëruar gjatë muajit të fundit se Rusia mund ta sulmojë njërin prej vendeve të aleancës ushtarake.

Shefi i shtabit të përgjithshëm të ushtrisë së Rumanisë, gjenerali Gheorghita Vlad, ka thënë se e gjithë Evropa duhet të shqetësohet për qëllimet e Rusisë. Në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë më 1 shkurt, ai ka thënë se vendi i tij duhet të miratojë urgjentisht një kornizë ligjore që do t’u mundësojë vullnetarëve civilë të ndjekin trajnime ushtarake.

“Mendoj se Federata Ruse nuk do të ndalet në Ukrainë. Nëse fiton në Ukrainë, shënjestër e saj e radhës do të jetë Moldavia. Do të shohim tensione edhe në Ballkanin Perëndimor. Unë jam më se i bindur se presidenti rus, Vladimir Putin, do t’i përshkallëzojë politikat e tij në të ardhmen e afërt”, ka thënë Vlad.

Rusia ka nisur pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022, duke e sjellë luftën deri në kufirin verior të Rumanisë. Vetëm dy javë para deklaratës së gjeneralit Vlad, ministri i Mbrojtjes i Gjermanisë, Boris Pistorius, ka thënë se presidenti gjithnjë e më luftarak i Rusisë, Vladimir Putin, mund ta sulmojë aleancën ushtarake të NATO-s në më pak se një dekadë.

“Ne dëgjojmë kërcënime nga Kremlini pothuajse çdo ditë… kështu që duhet të kemi parasysh se Vladimir Putin mund të sulmojë edhe një vend të NATO-s. Sipas ekspertëve tanë, kjo mund të ndodhë brenda pesë apo tetë vjetësh”, ka thënë ai.

Alarm të ngjashëm ka lëshuar edhe Suedia – vendi që pas më shumë se dy shekujsh paqeje, është vetëm pak hapa larg anëtarësimit në NATO. Komandanti i përgjithshëm i ushtrisë suedeze, gjenerali Micael Byden, ka thënë më 8 janar se të gjithë suedezët duhet të përgatiten mendërisht për mundësinë e luftës.

“Lufta e Rusisë kundër Ukrainës është vetëm një hap, jo një lojë përfundimtare. Unë nuk dua t’i shqetësoj njerëzit, por dua që ata të mendojnë për situatën dhe përgjegjësitë e tyre”, ka thënë Byden.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë në një intervistë për transmetuesin gjerman, ARD, më 4 shkurt, se nuk ka asnjë kërcënim të menjëhershëm ushtarak kundër ndonjë vendi anëtar të NATO-s. Megjithatë, kryetari i komitetit ushtarak të shefave kombëtarë të aleancës, Rob Bauer, ka thënë më 17 janar se vendet e NATO-s “duhet të jenë në alarm të kuq për luftë” dhe “të presin të papriturën.

Vetë Kremlini, përmes zëdhënësit Dmitry Peskov, ka thënë se zyrtarët evropianë që flasin për perspektivën e luftës me Rusinë, përpiqen ta portretizojnë Moskën si armike.

Por, jo të rralla kanë qenë rastet kur Putin ka kërcënuar në mënyrë indirekte vendet e NATO-s, që e ndihmojnë Ukrainën me armatim dhe logjistikë. “Rusia ka më shumë armë bërthamore se vendet e NATO-s”, ka thënë ai në një forum ekonomik në Shën Petersburg, vitin e kaluar.

Analistët thonë se shtetet që kufizojnë Rusinë ose janë afër saj, ndjejnë prej kohësh ankth nga ambiciet perandorake të Putinit, i cili shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik e ka konsideruar si “katastrofën më të madhe gjeopolitike të shekullit 20”.

Gjenerali i pensionuar i ushtrisë amerikane, Douglas Lute, i cili ka shërbyer edhe si përfaqësues i përhershëm i Shteteve të Bashkuara në NATO, flet për programin Expose të Radios Evropa e Lirë:

“Secili që ka qenë i vëmendshëm gjatë dy vjetëve të fundit, i merr seriozisht kërcënimet nga Vladimir Putin. Ai ka dëshmuar se është i gatshëm të thyejë çdo rregull ndërkombëtar, të vendosur gjatë 75 vjetëve të fundit… e deri te Karta e OKB-së, e cila rregullon parimet e sovranitetit kombëtar dhe integritetit territorial. Pra, nëse ai është i gatshëm të thyejë Kartën e OKB-së dhe çdo marrëveshje tjetër të madhe ndërkombëtare, atëherë kërcënimet e mundshme ndaj territoreve përtej Ukrainës janë të besueshme”, thotë Lute.

Shqetësimet në Evropë i ka shtuar edhe rritja e madhe e shpenzimeve për ushtrinë dhe industrinë e armëve në Rusi. Sipas disa dokumenteve që kanë rrjedhur vitin e kaluar, Rusia do ta rriste buxhetin ushtarak për vitin 2024 për gati 70%, përkatësisht në 107 miliardë euro.

Mark Cancian, kolonel i pensionuar i marinës amerikane, thotë për Exposenë se ushtria ruse ka përvojën më të madhe luftarake në botë dhe se kjo i jep avantazh kundrejt shumë vendeve të NATO-s. Ai nuk beson se ajo mund t’i rindërtojë shpejt kapacitetet e veta – ndoshta edhe një brez jo – por thotë se NATO-ja duhet të jetë vigjilente.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco