Lajmi i fundit

TASK FORCE/ Java e ferrit për karrierën e Erion Veliaj

Grupi militant irakian 'pezullon' operacionet ndaj SHBA-së

Grupi militant irakian 'pezullon' operacionet ndaj SHBA-së

09:18, 31/01/2024
A+ Aa A-

Një grup militant irakian i lidhur me Iranin, që dyshohet se qëndron prapa sulmit me dron ku u vranë tre ushtarë amerikanë në Jordani, njoftoi për “pezullimin” e operacioneve ndaj forcave amerikane, pasi Uashingtoni tha se ka vendosur se si të përgjigjet për sulmin, por nuk dha më shumë detaje.

Milicia Kataib Hezbollah tha se pauza synon që të parandalojë “turpërimin” e Qeverisë irakiane dhe la të kuptohet se sulmi me dron lidhej me mbështetjen që Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë Izraelit në luftën në Gazë.

“Ndërsa shpallim pezullimin e operacioneve ushtarake dhe të sigurisë kundër forcave pushtuese – në mënyrë që të parandalojmë turpërimin e Qeverisë irakiane – ne do të vazhdojmë të mbrojmë njerëzit tanë në Gazë përmes mënyrave të tjera”, tha sekretari i Përgjithshëm i Kataib Hezbollah, Abu Hussein al-Hamidawi, përmes një deklarate të publikuar në orët e vona të 30 janarit.

Tre ushtarë amerikanë u vranë përmes një sulmi me dron në Jordani më 28 janar dhe sipas Pentagonit, ky sulm kishte “gjurmët" e milicisë Kataib Hezbollah, që sponsorizohet nga Teherani. Megjithatë, Uashingtoni ende nuk ka përcaktuar përfundimisht se ky grup qëndron prapa sulmit.

Deklarata e milicisë irakiane u prit me skepticizëm në Pentagon dhe zëdhënësi Pat Ryder tha se “veprimet flasin më shumë se fjalët”, duke shtuar se “do të ketë pasoja”.

Ndërkaq, presidenti Joe Biden, u pyet nga gazetarët më 30 janar nëse kishte vendosur se si do të përgjigjej për sulmin. Ai u përgjigj me “po”, duke mos elaboruar më shumë për këtë çështje.

“Nuk mendoj se na duhet një luftë e gjerë në Lindjen e Mesme. Nuk po e kërkoj këtë”, shtoi ai.

Sipas analistëve, sulmet ndaj trupave amerikane kanë rritur presionin politik ndaj Bidenit që të kundërpërgjigjet me sulme ndaj interesave iraniane në rajon, ndoshta në Irak dhe Siri.

Që kur ka nisur lufta mes Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian – më 7 tetor, trupat amerikane në Irak dhe Siri janë sulmuar mbi 165 herë. Përgjegjësinë për shumicën e sulmeve e ka marrë e ashtuquajtura Rezistenca Islamike në Irak – një aleancë ombrellë e milicive shiite të linjës së ashpër, që mbështetet nga Teherani.

Sipas ekspertëve, Kataib Hezbollah është një prej grupeve më të fuqishme të Rezistencës Islamike në Irak.

Detajet e sulmit në Jordani mbeten të paqarta, por një zyrtar amerikan tha se trupat amerikane mund të kenë menduar gabimisht se droni i armikut ishte i tyre, pasi në kohën e sulmit, një dron i lëshuar nga SHBA-ja po kthehej në bazën ku ndodhi sulmi, që gjendet afër kufirit me Sirinë, prandaj edhe ushtria amerikane nuk e rrëzoi atë.

Sipas zyrtarit, që ka folur në kushte anonimiteti, droni me të cilin u krye sulmi fluturoi në një lartësi të ulët, në kohën kur një dron amerikan po kthehej në bazën, që njihet si Kulla 22.

Pas raportimeve se droni i përdorur në sulm ishte prodhuar në Iran, Ministria e Jashtme në Teheran mohoi se ka lidhje me sulmin, duke i cilësuar akuzat si “të pabaza”.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Nasser Kanaani, deklaroi se “grupet e rezistencës” në rajon nuk marin urdhra nga Teherani, edhe pse shtetet perëndimore e kanë akuzuar Iranin se i ndihmon me armë, trajnime dhe fonde këto grupe./ REL/ 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco