Parisi nën 'rrethim', fermerët bllokojnë hyrjet dhe daljet e qytetit, 15 mijë policë në rrugë

Parisi nën 'rrethim', fermerët bllokojnë hyrjet dhe daljet e qytetit, 15 mijë policë në rrugë

11:13, 29/01/2024
A+ Aa A-

Banorët e Parisit janë zgjuar, mëngjesin e sotëm, nën frikën e një rrethimi. Sindikatat bujqësore franceze kanë deklaruar se nga ora 14:00 e mesditës e në vazhdim kanë planifikuar që të bllokojnë tetë pika hyrëse dhe dalëse nga kryeqyteti francez.

Protesta të ngjashme nga fermerët janë paralajmëruar edhe në qytete të tjera të mëdha franceze, ndërsa rrugët është paralajmëruar se do të bllokohen duke grumbulluar traktorë e mjete të tjera bujqësore.

Qeveria franceze ka njoftuar se pothuajse 15,000 oficerë policie do të vendosen rreth Parisit me qëllim ruajtjen e rendit dhe sigurisë. Në veçanti do të tentohet për të penguar traktorët që të hyjnë në Paris dhe të parandalohen probleme në funksionimin e tregut ushqimor Ranzis, i cili është më i madhi në Evropë.

Ndërkohë në Bordo dhe Marsejë janë shoferët e taksive që po ndërmarrin veprime për të protestuar kundër çmimeve të karburantit.

Për situatën ka reaguar kryeministri francez Gabriel Attal, i cili tha dje se po planifikohen masa shtesë për të mbrojtur sektorin bujqësor të vendit.

“Dua të sqaroj gjërat dhe të shoh se çfarë masash mund të marrim, masa shtesë, për këto histori të konkurrencës së pandershme... nuk është normale që nuk mund të përdorësh produkte të caktuara, ndërsa vendet fqinje, Italia e të tjera, munden”, tha Atal gjatë një vizite në një fermë në jug të Parisit, ku tonet u ngritën në diskutimin me fermerë për një sërë çështjesh që shkaktojnë krizën në sektorin e bujqësisë.

Fermerët francezë janë duke u përballur me rënie të të ardhurave, pensione të ulëta, burokraci, shumë ligje dhe rregullore, por edhe konkurrencë nga jashtë. Kjo i ka shtyrë ata të ngrihen në protesta masive.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco