Londra, qyteti i pamposhtur

Londra, qyteti i pamposhtur

11:58, 28/01/2024
A+ Aa A-

 Brexit? Karantina? Londra nuk do t’ia dijë. A mund ta ndalë gjë Londrën? Qyteti ka 2000 vjet që rimëkëmbet pas goditjeve, shkruan The Economist

Nuk ishte një kohë e mirë për të hapur një pub në qendër të Londrës. Kur Michael Belben dhe ortaku i tij hapën pub-in “Eagle” në rrugën Farringdon, Britania ishte në recesion.

Ata nuk u dorëzuan. Shitën mallra të përdorura shtëpie dhe me paratë e fituara, blenë enë për lokalin, ndërtuan një kuzhinë dhe në hyrje vendosën një dërrasë të zezë ku shkruhej menuja. Bari u hap në janar të vitit 1991.

Që nga ajo kohë, betejat dhe suksesi i barit “Eagle” kanë reflektuar edhe betejat dhe sukseset e vetë qytetit të Londrës. Në fillim, pjatat mesdhetare që ofronte lokali, ishin një menu e re; por me kalimin e kohës, ndërsa shijet dhe popullsia e qytetit u bënë më të larmishme, ushqimi cilësor por i përballueshëm i lokalit, u imitua gjerësisht.

Lokali “Eagle” u trondit nga kriza financiare e viteve 2007-09; ai i mbijetoi pandemisë Covid-19 dhe rregullave shkatërruese për distancimin shoqëror. Për një qytet që ka punësuar gjithmonë emigrantë nga Europa, Brexit mund të jetë “një problem i tmerrshëm”, thotë zoti Bleben. Por këto pasoja negative ende nuk janë ndier.

“Është e mahnitshme sa elastikë kemi qenë”, shton ai. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Londrën. Në fillim të viteve 1990, një qytet që dukej se ishte në lëvizje, pësoi një shndërrim të madh. Pasi u tkurr me mbi një të pestën që nga Lufta e Dytë Botërore, popullsia filloi të rritej.

Të huajt sipërmarrës u dyndën në qytet. Ekonomia lulëzoi, e nxitur nga ligjet e buta rregullatore, integrimi europian dhe rënia e komunizmit. Në kohën kur mirëpriti Lojërat Olimpike në vitin 2012, Londra mund të pretendonte se ishte kryeqyteti i botës.

Një stuhi e përsosur fatkeqësish kërcënoi të rrënonte qytetet në përgjithësi dhe Londrën në veçanti. Zemra e saj tregtare u trondit nga kriza financiare. Më pas, ky kozmopol që funksionon duke u mbështetur në emigracion, u përball me izolimin e sjellë nga Brexit. Pandemia ndaloi turistët në një qytet që ishte ndër më të vizituarit në planet.

Megjithatë, ashtu si bari “Eagle”, Londra po lulëzon, duke treguar një qëndrueshmëri nga e cila mund të nxjerrin mësim qytetet kudo. Ekonomia e saj e globalizuar e ka përballuar daljen e Britanisë nga Bashkimi Europian, shumë më mirë nga sa kishin parashikuar pesimistët.

Me gjithë turbullirat politike mbi emigracionin, Londra mbetet një magnet për të ardhurit ambiciozë. Dhe është një nga vendet që i ka përballuar më mirë ndërprerjet e shkaktuara nga Covid-19. Nëse përshkoni Londrën nga jugu në veri dhe nga perëndimi në lindje, do të zbuloni se sfidat e saj më të mëdha janë rezultatet e dinamizmit, dhe jo rënia e qytetit. Fillojmë me lagjen Peckham në jug të Londrës.

Një grua e qeshur me veshje ceremoniale po kalëron nëpër rrugën kryesore të lagjes Peckham. Të rinjtë që luajnë basketboll dhe blerësit në dyqanet ushqimore nga Afrika Perëndimore, vështrojnë të habitur (disa, me sjelljen tipike londineze, nuk e kthejnë kokën fare).

Filmi i shkurtër i regjisorit Adeyemi Michael, i shfaqur së fundmi në Galerinë e Londrës së Jugut në Peckham, nderoi nigerianët që filluan të grumbulloheshin në këtë pjesë të kryeqytetit në vitet 1970, duke i dhënë lagjes pseudonimin “Little Lagos” (Lagosi i Vogël).

Kryqëzimi i jugut

Ju mund të shijoni oriz afrikan në lokalin Lolak Afrique, në afërsi të lagjes Peckham. Por kjo lagje, ashtu edhe komuniteti nigerian i Londrës, po ndryshojnë. Ndërsa është rritur numri i bareve me kokteje dhe i restoranteve me sushi, nigerianët janë përhapur nëpër pjesë të ndryshme të qytetit.

Numri i tyre ka rënë në zonën Southwark, bashkia që përfshin Peckham, dhe po rritet në zona të tjera. Londra nuk ka qenë kurrë aq e ndarë etnikisht sa disa qytete amerikane. Gjatë dekadave të fundit, popullsia afrikane është shpërndarë veçanërisht shpejt.

Popullsia nigeriane e Londrës po rritet. Në dy vitet e fundit, politikat e emigracionit pas Brexit kanë pranuar shumë më tepër studentë dhe punëtorë (kryesisht në kujdesin shëndetësor) nga jashtë Europës. Në vitin deri në qershor 2023, 141,000 nigerianë u shpërngulën në Britani, më shumë se totali që erdhën nga e gjithë BE-ja.

Më 4 dhjetor, qeveria njoftoi planet për të ulur emigracionin. Por deri tani, nuk është bërë realitet frika se Brexit mund të frenojë rrjedhën e emigrantëve në Londër. Një nga ironitë e Brexit, është se mungesa e europianëve është kompensuar me ardhje nga kontinente të tjera.

Kështu, popullsia e Londrës, e cila ra gjatë pandemisë, po shkon në afro 9 milionë dhe pritet të arrijë në 10 milionë deri në vitin 2040. Duke marrë parasysh fluksin e aftësive të reja dhe studentëve, thotë Jonathan Portes nga King’s College në Londër, efekti i Brexit në qytet “duket se ka qenë pozitiv”, për sa i përket emigracionit.

As fluksi i emigrantëve në këtë qytet të larmishëm nuk duket se ka ngjallur shumë tension. Sipas sondazhit Ipsos, londinezët kanë mbi dy herë më shumë gjasa se parisienët, për të thënë se emigrantët kanë pasur ndikim pozitiv në qytetin e tyre.

Suella Braverman, ish-ministrja e Brendshme konservatore, kohët e fundit pretendoi se multikulturalizmi ka “dështuar”. Vetë ajo në fakt provon të kundërtën: Braverman është një budiste e rritur në Londër, me prindër nga Mauritius dhe Kenia, e cila u martua me një burrë hebre dhe u ngrit në një nga postet më të larta në vend. Udhëtimin e saj mund ta quanim “Ëndrra Londineze”.

Por Brezit e ka goditur Londrën në një mënyrë tjetër: ai ka dëmtuar qendrën e saj financiare, e cila ishte goditur tashmë edhe nga kriza financiare e viteve 2007-2009 dhe ngritja e qendrave të tjera. Megjithatë, deri tani, pasojat kanë qenë të menaxhueshme.

Kostot e përgjithshme të Brexit reflektohen edhe në gjërat që kanë ndodhur dhe në gjërat që nuk do të ndodhin dot, si stazhet e braktisura, apo romancat që nuk do të lulëzojnë kurrë. E njëjta gjë vlen edhe për ndikimin e tij në qytetin e Londrës, thotë William Wright nga firma New Financial.

Një nga pasojat janë për shembull disa qindra vende të reja pune të krijuara në Paris nga bankat amerikane të investimeve, të cilat në rrethana të ndryshme, ndoshta do të kishin shkuar në Londër. Për sa u përket gjërave konkrete që kanë ndodhur, pjesa e Londrës në listimet e reja në bursë është zvogëluar, po ashtu edhe tregtia në derivatet dhe kapitalet europiane.

Megjithatë, punët që janë larguar nga qyteti për shkak të Brexit, kanë qenë relativisht të pakta. Sipas shoqërisë së konsulencës Ey, kjo shifër është rreth 7,000, shumë më e ulët se dhjetëra mijë vende të humbura pune që priteshin dikur.

Qyteti nuk do të jetë më qendra e paracaktuar financiare për Europën, parashikon zoti Wright. Por për shkak të statusit në tregjet financiare globale, Londra pritet të mbetet qendra mbizotëruese në Europë.

Image

Qendra financiare e quajtur London City (një zonë autonome) dhe pjesa tjetër e qytetit të Londrës, gëzojnë dy përparësi të tjera që lindën pas Brexit. E para është se ato tashmë kanë bërë shumë biznes me botën përtej Europës, duke marrë Investime të Huaja Direkte të bollshme, veçanërisht nga Amerika.

Që nga Brexit, Londra është bërë edhe më e varur nga investimet amerikane, vëren Riccardo Crescenzi nga London School of Economics. Në vitin 2021, pati një dalje neto të kapitalit të huaj nga Londra dhe Britania, për herë të parë që nga viti 1984. Megjithatë, profesor Crescenzi shton se Londra është ende qyteti më i mirë në Europë për projektet e reja të Investimeve të Huaja Direkte.

Përparësia tjetër është se industritë në të cilat specializohet Londra, ku bëjnë pjesë jo vetëm financat, por edhe ligji, kontabiliteti, konsulenca, media dhe arsimi i lartë, kanë qenë më pak të penguara nga rregullat e imponuara pas Brexit, në krahasim me sektorët e tjerë. Midis viteve 2016 dhe 2021, eksportet e shërbimeve të Londrës u rritën me 47%, vë në dukje Emily Fry nga grupi Resolution Foundation. Për pjesën tjetër të Britanisë, rritja ishte vetëm 4%. Shtetet që importojnë pjesë dhe eksportojnë mallra, kanë pësuar më shumë kosto dhe burokraci të lidhura me Brexit.

Vrulli i teknologjisë në veçanti është shumë i fortë dhe nuk duket se mund të ndalet, këmbëngul investitori Brent Hoberman. Për shkak të Brexit, “ne duhet të jemi më paranojakë” për konkurrencën, por Londra ende mbetet vendi më i mirë për të hapur një kompani teknologjike në Europë.

Kapitalistët amerikanë janë ende të etur”. Të dhënat e mbështesin optimizmin e tij. Londra ka prodhuar më shumë firma teknologjike “unicorn” sesa tre rivalët e saj më të afërt europianë, Berlini, Parisi dhe Stokholmi, të marrë së bashku.

Image

Një vatër e nxehtë

Virtytet e përhershme të qytetit, si zona kohore, gjuha angleze dhe sundimi i ligjit, përforcohen nga universitetet e mira dhe një bollëk aftësish dhe kapitali. Babs Ogundeyi, themeluesi i firmës teknologjike-financiare Kuda, me seli në Londër, thotë se investitorët e zgjuar lokalë, ndihmuan në tërheqjen e kapitalit.

Firma Kuda drejton një bankë dixhitale në Nigeri dhe një shërbim dërgesash për afrikanët në Britani. Pavarësisht gjithë telasheve që ka shkaktuar Brexit, vëren Ogundeyi, ai ka sjellë edhe lidhje më të ngushta me Afrikën.

Rezultati ekonomik pas referendumit është një tjetër ironi e Brexit; mund ta quani edhe një karma apo drejtësi poetike. Londra, i vetmi rajon i Anglisë që në referendumin e vitit 2016 votoi për të qëndruar në BE, ka pasur ecuri më të mirë se rajonet e tjera të vendit që donin të largoheshin nga blloku. Për arsye të ndryshme, ajo është rimëkëmbur më shpejt nga pandemia. Mjafton të udhëtoni në veri të Londrës për të parë pse.

Sally në veri

Një mbrëmje të ftohtë, në stadiumin e futbollit të Arsenalit, po këndohet himni i ri i klubit: “Londra e Veriut përgjithmonë / Sidoqoftë moti / Këto rrugë janë tonat”. Është një melodi sentimentale, por prekëse, veçanërisht pas muajve të karantinave kur spektatorët e kishin të ndaluar të vinin në stadiume.

Tani stadiumi është i mbushur plot. Tifozët ulërijnë duke protestuar një goditje të rëndë ndaj heroit të tyre, sulmuesit Bukayo Saka (më në fund, ai shënon gol).

Ekonomia e argëtimit e Londrës është gjallëruar sërish pas rëndimit vdekjeprurës që solli Covid-19. Shtatë klubet e futbollit në Premier League ushtrojnë fuqinë e butë në mbarë globin.

Turizmi pothuajse është rikthyer në nivelet para-pandemike, i nxitur nga rritja e vizitorëve amerikanë. Shoqëria e Teatrit e Londrës thotë se publiku është rritur. Në disa fundjava, rrjeti i metrosë është më i ngarkuar se në vitin 2019.

Gjithsesi, ekonomia e shkathët e Londrës, në përgjithësi, është rimëkëmbur shumë më fuqishëm se sa ajo e pjesës tjetër të vendit. Ashtu si qytetet e tjera, ajo ende po përballet me pengesa pas Covid-19. Por Londra është e pajisur më mirë sesa shumë qytete të tjera.

Tashmë, nën trysninë e blerjeve online, disa rrethe të shitjes me pakicë po përballen me vështirësi, veçanërisht Oxford Street, ku shitjet e Krishtlindjeve duket se janë zvarritur paksa.

Rritja e numrit të të pastrehëve dhe dyqanet e lira kanë krijuar një atmosferë më pak tërheqëse në zonën e Londrës Qendrore. Megjithatë, kërcënimi kryesor për ekonominë, është ngurrimi i londinezëve për t’u kthyer në zyra, me kohë të plotë.

One Triton Square, një kullë me zyra një milje larg lokalit Eagle, pranë Parkut Regent, e reflekton shumë mirë këtë prirje të re. Në ndërtesë ndodhen zyra të pajisura me të gjitha pajisjet moderne dhe qendra argëtimi, duke përfshirë një mur për ngjitje dhe një galeri arti.

Por ndërtesa është bosh. Dritat e jashtme ndriçojnë zbehtë ambientet e brendshme të errëta; shkallët lëvizëse janë të ngrira. Në fillim të këtij viti, Meta, kompania mëmë e Facebook, pagoi një tarifë të madhe për të anuluar qiranë e saj në kullë.

Kjo ndërtesë fantazmë nuk është e vetme. Numri i zyrave të lira në pronat tregtare në Londrën Qendrore, është kaq i lartë sepse njerëzit nuk duan të heqin dorë nga puna në distancë që u përhap si model gjatë pandemisë.

Një sondazh i kohëve të fundit nga Qendra për Qytetet, zbuloi se mesatarisht, punëtorët në Londrën Qendrore ishin në zyrë 2.3 ditë në javë, më pak se sa britanikët e tjerë.

Nga 32 shtete të anketuara nga Nick Bloom në Universitetin Stanford, punëtorët britanikë qëndruan në shtëpi më shumë se punonjësit e çdo shteti tjetër, përveç Kanadasë. Këto gjetje tregojnë se londinezët janë ndër ata që punojnë më tepër online.

Ndërveprimet ballë për ballë me kolegët janë të mira për produktivitetin. Niveli i produktivitetit në Londër ka ngecur në nivelet para pandemike. Frekuentimi i ulët i zyrës, me kalimin e kohës mund të pengojë investitorët e huaj. Sidoqoftë, duke qenë një vend popullor për punën online, Londra ka joshje që u mungojnë vendeve të tjera.

Një zyrë, ku punonjësit vijnë tri ditë në javë, është më fleksibël dhe tërheqëse. Megjithatë, duke pasur parasysh se një zyrë qendrore në Londër që frekuentohet rregullisht, sjell më tepër mundësi për rrjetëzimin, transportin dhe argëtimin, ajo është më fitimprurëse për qytetin se sa një zyrë satelitore.

Për më tepër, kultura e punës nga shtëpia nuk i ka nxitur londinezët të zhvendosen në masë drejt periferive. Shumica e londinezëve që ndërruan shtëpi midis verës së viteve 2021 dhe 2022, qarkulluan brenda qytetit, nuk u larguan jashtë tij.

Londra ka përballuar edhe një krizë tjetër që disa menduan se do ta gjunjëzonte: luftën në Ukrainë dhe sanksionet ndaj elitës ruse, e cila ka qenë mjaft fitimprurëse për qytetin, sidomos për avokatët kundër shpifjeve, agjentët e pronave, firmat publike dhe klubet e futbollit.

Por pavarësisht gjithë famës dhe shkëlqimit, duket se elita ruse kishte më pak ndikim se ajo e ardhur nga Kina dhe Lindja e Mesme, thotë Oliver Bullough, autor i librit “Butler to the World”. Shumë personalitete të pasur, vazhdojnë ta quajnë ende Londrën shtëpinë e tyre, ose të paktën një prej shtëpive të tyre.

Për të vënë re tërheqjen e Londrës për oligarkët, mjafton të shëtisni në perëndim të zonës Harrods, ku do të gjeni një stacion metroje. Në vitin 2014, qeveria ia shiti atë për 53 milionë paund (87 milionë dollarë në atë kohë), manjatit ukrainas Dmitry Firtash, i kërkuar në Amerikë me akuza për korrupsion, të cilat ai i ka mohuar).

Londra ka marrë dhe ka tejkaluar shumë lloj goditjesh gjatë historisë së saj 2000-vjeçare. Sipas Tony Travers nga firma ISE, periudha më e pasigurt për qytetin ishte pas largimit të romakëve në shekullin V pas Krishtit. Vdekja e Zezë vrau një pjesë të madhe të popullsisë në vitet 1340.

Zjarri i Madh i vitit 1666 rrafshoi një pjesë të madhe të qytetit. Si një kryeqytet perandorak, Londra u përshtat gjithashtu me humbjen e perandorisë. Ajo sfidoi Blitz-in nazist të viteve 1940-41, kur në vend që të strehoheshin në metro, shumica e londinezëve thjesht flinin në shtëpi.

Kjo qëndrueshmëri është një nga tiparet e Londrës. Shqetësimet më të mëdha tani nuk mund të jenë më kërcënimet e jashtme, por pasojat e suksesit. Moska, Parisi, Seuli, Tokio dhe kryeqytete të tjera, mbizotërojnë si në politikën, ashtu edhe në ekonominë e vendit të tyre.

Por Londra shquhet për kontrollin e saj mbi qeverinë, financat, mediat dhe artet në vend. Po aq të dukshme janë edhe dallimet në demografi dhe pikëpamje midis londinezëve dhe bashkatdhetarëve të tyre.

Sipas vlerësimit më të fundit, të ardhurat e disponueshme familjare për person, ishin plot 43% më të larta në Londër, sesa në pjesën tjetër të vendit në tërësi. Londinezët janë më të rinj, me prirje më të majtë dhe shumë më të larmishëm: pakicat etnike përbëjnë 46% të banorëve, mbi dyfishi i përqindjes në Angli dhe në Uells.

Dy të pestat e londinezëve kanë lindur jashtë shtetit.

Shumë emigrantë gjithashtu kanë ndihmuar në ngritjen e standardeve në shkollat e Londrës, të cilat këtë shekull janë shndërruar nga shkollat me performancën më të keqe të çdo rajoni anglez, në shkollat me performancën më të mirë. Për ta vështruar më nga afër këtë dukuri, mjafton të shkoni në perëndim.

Periferia perëndimore Southall në Londër, e njohur si “India e Vogël”, është e mbushur me restorante, xhami dhe tempuj të kulturave nga Punjabi dhe Afganistani. Nathan Walters, drejtori i shkollës së mesme Featherstone, thotë se 85% e nxënësve flasin një gjuhë tjetër në shtëpi.

Pothuajse një e treta përfitojnë ushqim falas në shkollë (për shkak të varfërisë). Pavarësisht nëse flasin apo jo vetë anglisht, prindërit janë “shumë pozitivë” për arsimin; rezultatet e fëmijëve të tyre në shkollë janë shumë më të larta se mesatarja kombëtare. Afërsia me mundësinë është një motivim, thotë zoti Walters. Nxënësit “mund ta shohin mundësinë, nga dritaret e dhomës së tyre të gjumit”.

Mbizotërimi i Londrës dhe babëzia e qytetit për njerëz dhe kapital kanë qenë shqetësime për shekuj me radhë. Mbi 400 vjet më parë, mbreti James I, tha: “Së shpejti, Londra do të jetë e gjithë Anglia”. Në shekullin XIX, qyteti u quajt “paraziti i madh”. Sondazhet e këtyre ditëve tregojnë se britanikët e tjerë e konsiderojnë Londrën si një vend të tejmbushur me njerëz dhe të shtrenjtë dhe banorët e saj si arrogantë dhe të izoluar.

Shumë mendojnë se qyteti trajtohet me përparësi nga politikëbërësit dhe Departamenti i Thesarit, edhe pse në fakt kontribuon shumë më tepër se sa merr. Kontributi fiskal neto i Londrës për kokë, është mbi 4,000 paund.

Image

Kjo lloj pakënaqësie ka ushqyer populizmin në të gjithë Perëndimin. Në Britani, ai çoi në referendumin e Brexit. Megjithatë, që atëherë, ndarjet në pasuri, diversitet dhe mundësi, janë rritur edhe më tepër (shih grafikun 1).

Në përpjekjen për të ngushtuar boshllëqet, qeveria aktuale, ashtu si paraardhësit e saj, ka ricikluar idetë e dështuara. Siç thekson një raport i fundit parlamentar, skemat për të zhvendosur punët e shërbimit civil në rajone, nisen çdo 10 deri në 15 vjet.

Shpesh përpjekje të tilla kanë për synim të kufizojnë rritjen e Londrës, me shpresën për ta devijuar atë gjetiu në vend. Një shembull i tillë ishte një rregull i vitit 1964 që ndalonte ndërtimin e zyrave të reja në Londrën Qendrore (që më vonë u hodh poshtë).

Sidoqoftë, në shumicën e rasteve, politikat kanë nxitur kryeqytetin duke shpërfillur rajonet e tjera dhe kanë përfunduar duke i ndëshkuar të gjithë. Një tjetër pasojë negative e popullaritetit të Londrës ka të bëjë me kostot e strehimit.

“Strehimi i përballueshëm nuk është gjithmonë kaq i këndshëm sa ky vend”, thotë një banor në rrugën McGrath Road në Londër. Ai banon në një nga 26 shtëpitë në Stratford, në lagjen lindore të Londrës, Newham.

Në këtë zonë ndodhen disa shtëpi të përdorura për strehim publik, të lidhura sëbashku nëpërmjet një oborri qendror me pemë. Nëse ecni drejt shinave hekurudhore, do të vini re kullat vezulluese që ishin pjesë e ndërtimeve të bëra për Lojërat Olimpike.

Peter Barber, arkitekti i rrugës McGrath, thotë se mund të nxirren shumë mësime nga qytetet kompakte të Afrikës së Veriut dhe Lindjes së Mesme. Arkitektit i kujtohet se Këshilli i Newham-it, fillimisht priste prej tij një model për një bllok apartamentesh. Në vend të kësaj, ai imitoi tarracat e stilit gjeorgjian, që janë ndër banesat më efikase në Londër.

Si një qytet i madh, Londra sigurisht që vuan nga shumë sëmundje tipike: rrugët e bllokuara, ndotja e ajrit, udhëtimet e gjata dhe të shtrenjta dhe një forcë policore e diskredituar. Krahasuar me bashkatdhetarët e tyre, londinezët kanë një ndjenjë të ulët të përkatësisë në qytet.

Siç është e zakonshme në qytete të mëdha të vrullshme, njeriu shpesh mund të ndihet i vetmuar. Charles Dickens shkroi: “Është e çuditshme me sa pak përfillje nga të tjerët, një njeri jeton e vdes në Londër”. Por problemi më i rëndë dhe më i vazhdueshëm është mungesa dhe kostoja e strehimit dhe kjo është më e theksuar në zonën East End.

Orient Express

Në kohët viktoriane, zona East End njihej si “perandoria e urisë” dhe “qyteti i natës së tmerrshme”. Sot mbipopullimi në zonën Newham është sa dyfishi i normës mesatare të qytetit, dhe më shumë se dyfishi i mesatares kombëtare. Shkaku kryesor i mungesës së strehimit është dështimi për të siguruar shtëpi të reja të mjaftueshme dhe për të përdorur hapësirën me imagjinatë, siç bëri arkitekti Barber.

Rezultati ka qenë njëherësh i pashmangshëm dhe mahnitës. James Carville, një strateg politik amerikan, dikur tha me shaka: “Do të dëshiroja të rimishërohesha si tregu i bonove, sepse ashtu mund t’i frikësoja të gjithë. Një tjetër zgjedhje e mirë do të ishte të rimishërohesha si çmimi i strehimit në Londër”.

Është e vërtetë se lulëzimi i nxitur nga financat që zgjati dy dekada, në kohët e fundit është rrafshuar, por duke arritur një konstante marramendëse.

Image

Në vitin 2020, një shtëpi mesatare në kryeqytet, ishte mbi 13 herë më e shtrenjtë se fitimet mesatare, pothuajse sa dyfishi i çmimit të dy dekadave më parë (shih grafikun 2). Një apartament me dy dhoma gjumi pranë lokalit Eagle, është tashmë i papërballueshëm nga njerëzit e zakonshëm.

Ndërkohë, që nga viti 1981, pjesa e londinezëve që jetojnë në banesa publike, ka rënë nga mbi një e treta, në një të pestën. Qiratë në sektorin privat janë rritur: në vitin 2022, qiraja mesatare ishte sa 35% e të ardhurave mesatare. Siç thotë Jack Brown nga King’s College në Londër, qyteti “asnjëherë nuk ka qenë kaq i madh dhe kaq i shtrenjtë”.

E gjithë kjo do të thotë se perceptimi i londinezëve si njerëz të pasur, nuk është plotësisht i saktë. Londra është një qytet i pasur, me shumë njerëz të varfër. Po të marrim parasysh edhe kostot e strehimit, dalim në përfundimin se shkalla e varfërisë në Londër, është më e lartë se në pjesën tjetër të Anglisë.

Tetë herë më shumë familje në Londër jetojnë në strehim të përkohshëm sesa në gjithë vendin në përgjithësi. Elita më e pasur fiton gati dhjetëfishin e të ardhurave që fitojnë më të varfrit.

Për shkak të gjeografisë ekonomike të integruar në mënyrë të pazakontë, familjet e varfra dhe ato të pasura në Londër kanë shumë më tepër ndërveprim mes tyre në krahasim me ato në Paris apo Nju Jork. Shpesh, në rrugët me dyqane të shtrenjta, mund të gjesh edhe dyqane ku të gjitha mallrat shiten për nga 1 paund.

Ankesat që Londra është e tejmbushur, janë të ngjashme me ankesat për një restorant popullor ku fillojnë të dynden të gjithë, dhe pastaj askush nuk dëshiron të shkojë më atje. Megjithatë, pandemia mund të hapë zgjidhje për këtë problem të vjetër.

Në një vend me ofertë të tepërt zyrash dhe mungesë shtëpish, do të kishte kuptim që, aty ku është e mundur, të ripërdoreshin ndërtesat tregtare si vende banimi. Tashmë më shumë se kurrë, në një epokë të punës hibride, është koha për të ripërdorur vende të ndryshme për qëllime të reja.

Diçka e tillë ndodhi pas krizave të dikurshme. Christopher Wren e ripërfytyroi qytetin në hirin e Zjarrit të Madh. Planifikuesit idealistë urbanë e bënë këtë përsëri në rrënojat e bombardimeve naziste.

Dëshmia e viteve të fundit dhe e dy mijëvjeçarëve të fundit, ka treguar se Londra, një nga qytetet më të mëdha dhe ndoshta qyteti më elastik në botë, do të arrijë të gjejë një mënyrë për të përballuar sfidat dhe për të lulëzuar. /Përktheu: Lira Muça, Monitor/

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco