Analiza e DW: Si po ndikon tregtia online në ndryshimin e qyteteve

Analiza e DW: Si po ndikon tregtia online në ndryshimin e qyteteve

11:31, 25/01/2024
A+ Aa A-

Njerëzit janë duke blerë gjithnjë e më shumë nëpërmjet internetit. Tregu E-Commerce është në lulëzim. Kjo sjell sfida dhe shanse të reja për qytetet, sidomos për qendrat e qyteteve.
Për Krishtlindje ndodhi kështu: Shpërndarësit e paketave tërë kohën ishin të mbingarkuar me punë. Kutitë e zbrazura të kartonit u bënë mullar nëpër korridorë, para dyerve të shtëpive dhe kutive të postës. Administratorët e pallateve u indinjuan duke apeluar për largimin e kartonëve të grumbulluar me tonelata pranë objekteve të banimit.

Porositja online e sendeve është thjeshtuar shumë: Një klikim dhe këpucët, kabllot për mbushjen e celularëve, ushqimet ose dhuratat për ditëlindjen që pritet të vijë, sillen para derës së shtëpisë. Volumi i shitjeve online është duke u shtuar, çdo vit. Gati 6 miliardë dollarë amerikanë ishte fitimi gjatë vitit 2023. Sa për krahasim, në vitin 2017 kjo shifër ishte 2,3 miliardë dollarë amerikanë. Sipas parashikimeve tendenca është në rritje, sidomos në tregun aziatik.

Treg për koncepte inovative

Kjo është perspektiva globale. Por çfarë do të thotë E-Commerce për një qendër të caktuar? Për klientët do të thotë blerje duke mos lëvizur nga divani, bërje pazari shpejt dhe lehtë. Por, për urbanistët e qyteteve, korrierët, furnizuesit, organizatorët e logjistikës, mbledhësit e plehrave kjo e gjitha sjell pasoja të mëdha.

Një shqetësim i përhapur shumë: Nëse paratë jepen online në vend që të jepen në tregtinë e stacionuar, qytetet fillojnë të rrënohen. Dhe klientët që shkojnë vetë në pazar për të blerë ndodhen papritur para vitrinave bosh. Por a duhet të ndodhë patjetër kështu? “Është një treg në lëvizje të madhe, ku janë duke u provuar koncepte të reja, prandaj është kënaqësi e madhe të merresh me studimin e tij,” thotë Heleen Buldeo Rai nga Universiteti i Brukselit. Ajo analizon ndikimet e tregtisë online mbi logjistikën dhe zhvillimin e qendrueshëm të qyteteve.
Paketime shumë përdorimëshe edhe në online-shopping

Porositje online, nxerrje nga kutia, hedhje kartoni, një parim i zakonshëm që bën që korridorët të mbushen me male kartoni dhe letre, siç ju treguam për Krishtlindjet e fundit. Nga viti 1996 deri në vitin 2017, konsumi i paketave prej letre nga blerjet që nuk bëhen direkt në dyqan është rritur gati 600 përqind, thotë Zyra Federale Gjermane e Mjedisit, në një llogaritje që ka bërë. Çdo qytetar i BE-së, ka grumbulluar në vitin 2021 paketime me peshë 246 kilogramë. Rreth 40 përqind e tyre kanë qenë kartonë dhe letër, thotë një studim i Eurostat-it. Sidoqoftë e gjithë kjo sasi përfundon zakonisht në riciklim.

Një shikim mbi shifrat dhe prognozat tregon, se online-shopping do të shtohet, nuk do të pakësohet. “Prandaj përdorimi disa herë i paketimeve duhet të kthehet në gjë të vetëkuptueshme, si është sot seleksionimi i plehrave,” thotë Carina Koop. Ajo është eksperte e ekonomisë së riciklimit në Instututin e Vupertalit dhe merret me studimin e masave që duhen marrë për të ulur sasinë e mbeturinave që hidhen.

Kompania kryesore gjermane në fushën e logjistikës, DHLGroup është duke i bërë kutitë e veta të paketimit, E-Commerce-Boxen, të përdorshme disa herë. Kjo është duke u bërë fillimisht në sektorin B2B, pra në tregtinë ndërmarrje – ndërmarrje. Nëse kjo fazë prove do dalë me sukses, dhe do të rritet kërkesa për zgjidhje të tilla, atëherë oferta do të zgjerohet edhe më tej, thotë Jessica Balleer, zëdhënëse shtypi për zhvillimin e qendrueshëm tek DHL Group.

Modele virtuale kundër maleve me produkte që kthehen mbrapsht

Ekspertja e reduktimit të plehrave, Koop, sheh potencial për përmirësime jo vetëm me paketimet: “Në tregtinë online, E-Commerce, problem i madh janë kthimet e produkteve, retouren, prandaj ne duhet të gjejmë patjetër zgjidhje të mira, joshëse dhe të ndërgjegjësojmë edhe klientët.” Një në shtatë paketa kthehet mbrapsht në Gjermani.

E reja e fundit nga tregu aziatik mund të ndihmojë për të ulur numrin e kthimeve. Ideja është që modelet e personalizuara virtuale të bëjnë paraprakisht provën e bluzës, këpucëve ose produkteve të tjera. Sepse kthimet mbrapsht bëhen kryesisht për shkak të pasigurisë, porositë jepen njëkohësisht për dy ose tri madhësi të ndryshme të të njëjtit produkt, thotë Heleen Buldeo Rai. Gati 50 përqind e kthimeve mund të eliminohen nëpërmjet modeleve të personalizuara virtuale, thotë ekspertja e tregtisë online.

Me ulje kostoje dhe vizualizim më pak teknik, problemi mund të zgjidhet me Click&Collect ose me Showrooming. Me Click&Collect produkti krijohet online, por merret në dyqan. Kurse me Showrooming veshja provohet në dyqan, por blihet online.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco