Lajmi i fundit

TASK FORCE/ Java e ferrit për karrierën e Erion Veliaj

Përplasjet e ashpra me bandat në Ekuador, vendi nis t’i kthehet normalitetit. Rrëfimi për BBC i gazetarit që u mor peng live në tv

Përplasjet e ashpra me bandat në Ekuador, vendi nis t’i kthehet normalitetit. Rrëfimi për BBC i gazetarit që u mor peng live në tv

08:37, 12/01/2024
A+ Aa A-

Ndonëse mes frikës, Guayaquil po fillon gradualisht t’i kthehet normalitetit. Pak banorë janë rikuperuar plotësisht nga tronditja – nga kaosi dhe gjakderdhja e plotë – e kësaj jave, një moment që do të jetojë gjatë në kujtesën kolektive të qytetit. Por Dina Moreno nuk mund të përballojë të qëndrojë më në shtëpi. Ajo shet aksesorë të telefonave celularë në tregun më të madh të mbuluar të Guayaquil dhe, si shumë nga pronarët e tjerë të tezgave, ka marrë guximin të hapë biznesin e saj dhe të kthehet në punë.

“Nuk kam parë kurrë diçka të tillë. Kur pamë se çfarë po ndodhte në stacionin televiziv dhe dëgjuam të shtëna, të gjithë u çmendën dhe filluan të mbyllnin dyqanet e tyre dhe të përpiqeshin të ktheheshin në shtëpi”, kujton ajo me rrëqethje. Pas saj, teksa flet, djali shtatëvjeçar i Dinës luan me disa kllëfe celulari. Shkollat në qytet mbeten të mbyllura pas shpërthimit të dhunës së bandave. Dina nuk kishte zgjidhje tjetër veçse ta mbante djalin te puna e saj. Pavarësisht se bizneset po hapen, spektri i dhunës së bandave të drogës mbetet. Një shitës, Jorge, më tha se pronarët e tezgave ishin të gjithë të kujdesshëm për njëri-tjetrin nën tendat e bardha të mëdha të tregut, duke mbajtur një sy në rrugë nëse ktheheshin të persona të armatosur aty.
“Unë nuk kam frikë nga vdekja. Unë thjesht dua të shoh që paqja të kthehet në Ekuadorin tim.”, thotë ai, pa asnjë shenjë droje.

Ndërkohë, vëllai i Andres është në mesin e 178 punonjësve të burgut – shumica prej tyre roje – që ende mbahet peng nga bandat. “I vetmi informacion që kemi pasur është nga gardianët që arritën të dilnin jashtë. Janë të vetmit që na kanë thënë se të afërmit tanë janë mirë,” tha ai. Ai shton se gardianët kishin paralajmëruar se diçka e keqe do të ndodhte në burg, por autoritetet nuk dëgjuan. Qeveria nga ana tjetër thekson se vendi është i përfshirë në një luftë me bandat dhe nuk mund të tërhiqet përballë frikësimit, qoftë nga brenda dhe jashtë burgjeve. “Marrja e pengjeve është pjesa e shëmtuar e luftës,” tha Presidenti Daniel Noboa këtë javë.

Sakaq, Andresin, akuzon qeverinë për neglizhencë, ndërsa është në ankth për fatin e vëllait të tij. “Unë vetëm shpresoj se ata nuk do t’i trajtojnë ata si mish për top,” thotë ai. Në mes të kaosit, akti më i paprecedentë i dhunës së bandave ishte në studion televizive TC në Guayaquil, kur njerëz të armatosur morën peng stafin, duke iu drejtuar armët gazetarëve teksa këta të fundit ishin në transmetim direkt. Në kalvarin që pasoi, prezantuesi Jose Luis Calderon u shfaq duke u kërkuar anëtarëve të bandës që të qëndronin të qetë, edhe pse ata i drejtuan një armë gjahu në kokë dhe i vendosën një shkop dinamiti në xhepin e gjoksit.

“Ndihesha çuditërisht i qetë edhe pse e dija se jeta jonë ishte në rrezik”, kujton ai kur e takuam më pas. Jose Luis përshkroi se si u fsheh në një banjë me disa kolegë kur ata dëgjuan të bërtitura dhe të shtëna me armë zjarri. Por vendi i tyre i fshehjes u zbulua shpejt dhe ata u nxorën jashtë për t’u bashkuar me stafin tjetër, nën kërcënimin e armëve. “Ata dërguan fëmijë, të armatosur deri në dhëmbë, për të përhapur frikë, pasiguri, ankth dhe kaos”, thotë ai. “Ata ishin aty për të dërguar mesazhin se thjesht mund të hyjnë dhe të marrin përsipër një nga mediat më të mëdha në vend”.

Qindra anëtarë të bandës tashmë janë ndaluar nga policia. Ndërsa rrugët e Guayaquil janë bosh gjatë shtetrrethimit gjatë natës, ditën ato po bëhen më të ngarkuara ndërsa njerëzit vijojnë jetën e tyre si normalisht. Ndërsa kalojnë ditët nga përvoja më e tmerrshme në historinë e tij moderne, duket sikur Ekuadori po i kthehet normalitetit. Rreziku është se po shkohet drejt një konflikti të armatosur të rrënjosur dhe se vendi po i afrohet gjithnjë e më shumë shndërrimit në një “narko-shtet” të plotë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco