9 ndër 10 jugkoreanë thonë se nuk do të hanë mish qeni - Sondazhi

9 ndër 10 jugkoreanë thonë se nuk do të hanë mish qeni - Sondazhi

12:15, 08/01/2024
A+ Aa A-

Mbi 90 për qind e të anketuarve të Koresë së Jugut thanë se nuk do të hanin mish qeni. Kështu treguan rezultatet e një sondazhi të hënën, pasi qeveria kërkon të miratojë një projektligj që ndalon konsumimin e mishit të qenit në vend.

Në një sondazh me 2000 persona të rritur në të gjithë vendin, të kryer nga grupi vendor për të drejtat e kafshëve Aëare, 93,4 për qind e të anketuarve u përgjigjën se nuk kanë ndërmend të hanë mish qeni në të ardhmen, nga 88,6 për qind në një sondazh të kryer nga i njëjti grup një vit më parë.

Sondazhi gjithashtu tregoi se mishi i qenit shijohet vetëm nga një pjesë e vogël e popullsisë, pasi 94,5 për qind e të anketuarve raportuan se nuk kanë ngrënë qen gjatë vitit të kaluar.

Mosmiratimi i dukshëm ndaj konsumit të mishit të qenit ishte i përhapur si tek pronarët e kafshëve shtëpiake ashtu edhe tek ata pa kafshë shtëpiake, me 94,7 përqind e të anketuarve që kishin kafshë shtëpiake deklaruan se nuk do të hanin mish qeni dhe 92,7 përqind e atyre pa kafshë shtëpiake thanë të njëjtën gjë.

Kur u pyetën për arsyet e mosdëshirimit të konsumimit të mishit të qenit, 53,5 për qind thanë se ishin "të neveritur emocionalisht", ndërsa 18,4 për qind thanë se e kishin problem procesin brutal të mbarështimit dhe therjes së qenve. Një tjetër numër, 7,1 përqind thanë se ishin të ndërgjegjshëm për perceptimin negativ ndaj mishit të qenit nga pjesa tjetër e shoqërisë.

Sondazhi i Aëare sugjeroi gjithashtu se një përqindje në rritje e popullsisë është në favor ndaj ndalimit të mishit të qenve, me përqindjen e atyre që mbështesin një ndalim duke u rritur në 82,3 përqind nga 72,8 përqind që ishte në vitin 2022. Rreth 60.9 përqind e të anketuarve thanë se ligji "do të reduktojë numrin e qenve që do të përjetojnë dhimbje”.

“Anketa dëshmon se populli i Koresë së Jugut nuk i konsideron më qentë si “ushqim” dhe se ata po kërkojnë që çështja e konsumit të mishit të qenit të zgjidhet përmes legjislacionit”, tha shefi i grupit Lee Yung-ju.

Pjesa më e madhe e mishit të qenit në Korenë e Jugut prodhohet përmes 1156 fermave në të gjithë vendin. Këto ferma i mbarështojnë kafshët posaçërisht për mish, sipas hulumtimit të një komiteti qeveritar-civil që punon për legjislacionin për ndalimin e mishit të qenit. Komisioni u krijua vitin e kaluar.

Një mesatare vjetore prej 388,000 qensh mendohet të konsumohen në rreth 1,600 restorante në të gjithë vendin, sipas komitetit.

Me marrjen e detyrës, qeveria aktuale e Yoon Seok Yeol ka nisur një përpjekje për t'i dhënë fund konsumit të mishit të qenit, gjë që ka shkaktuar reagime nga ata që punojnë në industri. Federata e Mishit të Qenit, një grup i atyre që mbarështojnë qen për mish, ka protestuar kundër planit të qeverisë dhe kërkon dëmshpërblim financiar.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco