Jep dorëheqjen shefi ekzekutiv i NRA-së Wayne LaPierre

Jep dorëheqjen shefi ekzekutiv i NRA-së Wayne LaPierre

09:48, 06/01/2024
A+ Aa A-

Shefi ekzekutiv i grupit lobist amerikan të armëve, National Rifle Association (NRA) ka dhënë dorëheqjen, tha organizata. Wayne LaPierre, 74 vjeç, do të japë dorëheqjen që nga 31 janari pasi drejtoi NRA-në për më shumë se tri dekada. Dorëheqja e tij vjen disa ditë para një gjyqi civil në Nju Jork, në të cilin ai dhe drejtues të tjerë të lartë akuzohen për keqpërdorim të fondeve të NRA-së.

Në një deklaratë, zoti LaPierre tha se ai mbetet një mbështetës i NRA-së.

"Unë kam qenë një anëtar i kësaj organizate për pjesën më të madhe të jetës sime dhe nuk do të ndalem kurrë së e mbështeturi NRA-në dhe luftën e saj për të mbrojtur lirinë e Amendamentit të Dytë," tha ai. "Pasioni im për kauzën tonë digjet më fort se kurrë."

Z. LaPierre ka thënë se vendimi i tij për të dhënë dorëheqjen ka qenë si pasojë e problemeve shëndetësore, tha NRA në një deklaratë. Dorëheqja e tij vjen pasi një gjyq civil në Nju Jork do të fillojë të hënën, në të cilin pretendohet se ai dhe tre drejtues të tjerë aktualë dhe të mëparshëm të NRA-së kanë shkelur ligjet e shtetit për OJQ-të.

Prokurorja e Përgjithshme e Nju Jorkut, Letitia James, e cila ngriti padinë në vitin 2020, akuzoi gjithashtu liderët për keqpërdorim të miliona dollarësh fonde për shpenzime të mëdha personale. Të pandehurit e tjerë janë Wilson Phillips, Joshua Powell dhe John Frazer, edhe pse zonja James e ka kategorizuar zotin LaPierre si "figurën qendrore" në këtë çështje.

Një shembull i sjelljes së papërshtatshme të pretenduar në padi thotë se zoti LaPierre vizitoi ishujt Bahamas më shumë se tetë herë me avion privat duke përdorur fondet e destinuara për NRA-në, për një kosto totale prej 500,000 dollarësh. Padia synonte gjithashtu të largonte z. Lapierre nga pozicioni i tij drejtues.

Zonja James tha në një deklaratë se dorëheqja e tij është një "fitore e rëndësishme" në këtë rast, por tha se "shtytja e zyrës së saj për llogaridhënie vazhdon". “Çështja jonë do të vazhdojë dhe mezi presim të vërtetojmë faktet në gjykatë”, tha ajo.

Gjyqi pritet të zgjasë gjashtë javë dhe do të vendoset nga një juri prej gjashtë anëtarësh. Në deklaratën e saj duke njoftuar dorëheqjen e z. Lapierre, NRA-ja tha se do të vazhdojë mbrojtjen e saj të padisë. Ata e kanë përshkruar më parë si një “sulm të pabazë e të paramenduar”.

NRA-ja është një nga organizatat më të fuqishme politike në SHBA, e njohur për lobimin e saj të fortë kundër të gjitha formave të kontrollit të armëve. Organizata gjithashtu ka argumentuar vazhdimisht se më shumë armë e bëjnë vendin më të sigurt. Ajo mbështetet dhe mbron me vendosmëri një interpretim të diskutueshëm të Amendamentit të Dytë të Kushtetutës së SHBA-së, i cili argumenton se u jep qytetarëve amerikanë të drejtën për të mbajtur armë. Financon drejtpërdrejt politikanët dhe ligjvënësit amerikanë që mbështesin synimet e saj.

Megjithatë, anëtarësimet e saj kanë rënë në vitet e fundit. CBS raportoi në vitin 2022 se të ardhurat e grupit lobues - pjesa më e madhe e të cilave vjen nga tarifat e anëtarëve - ishin tkurrur me 23% nga viti 2016 në vitin 2020. Në vitin 2018, NRA-ja tha se kishte gjashtë milionë anëtarë. Tre vjet më vonë, zoti Lapierre tha në një deklarim se anëtarësimet e saj kishin rënë në nën 4.9 milionë. Z. LaPierre, një nga lobistët më të shquar të të drejtave të armëve në SHBA, e ka udhëhequr organizatën që nga viti 1991.

Në një deklaratë, kryetari i NRA-së, Charles Cotton tha se zoti LaPierre "ka bërë maksimumin për të mbrojtur lirinë e Amendamentit të Dytë". Ai e quajti atë një "figurë madhështore në luftën për lirinë kushtetuese" që ndihmoi në ndërtimin e organizatës. Andrew Arulanandam, kreu i operacioneve të përgjithshme të NRA-së, do të marrë detyrën si shefi ekzekutiv i përkohshëm dhe nënkryetar ekzekutiv në shkurt./BBC-përktheu Syri.net

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco